
Pas fitores historike 2:1 ndaj Ludogoretsit, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por theksoi se bullgarët mbeten favoritë në këtë përballje.
“Ishte një fitore e bukur dhe e merituar, megjithatë Ludogoretsi mbetet favorit. Ne do të shkojmë në Bullgari për të dhënë maksimumin dhe për të respektuar fanellën”, deklaroi Beqiri pas ndeshjes së mbrëmshme.
Ai vlerësoi identitetin sulmues të ekipit edhe në mungesë të lojtarëve kyç si Fiton Ademi dhe Kamer Qaka, ndërsa paralajmëroi edhe afrime të reja: “Mazari i bashkohet skuadrës dhe pritet të vijnë edhe 1-2 futbollistë të tjerë për të përballuar tri kompeticione.”
Lidhur me orarin e ngjeshur, Beqiri u shpreh kundër anulimit të ndeshjeve të kampionatit: “Kemi 25 lojtarë cilësorë dhe duhet të luajmë në të gjitha frontet.”
Në fund, trajneri qetësoi tifozët për Tambën, duke theksuar se lojtari mbetet pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe do të vazhdojë të japë maksimumin.

Jeton Beqiri – nga fusha e lojës te stoli i trajnerit
Jeton Beqiri është një nga trajnerët më të spikatur të futbollit shqiptar dhe maqedonas në vitet e fundit, duke e ndërtuar karrierën e tij hap pas hapi, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner i suksesshëm. I lindur më 18 qershor 1982 në Bogovinë të Tetovës, Beqiri e nisi rrugëtimin e tij në futboll si lojtar.
Ai si trajner e mori për herë të parë drejtimin e një skuadre në vitin 2008 me Dritën e Bogovinës, ku qëndroi deri në vitin 2012. Pas një sezoni te Gostivari, ai u rikthye sërish te Drita për një periudhë të shkurtër. Viti 2014 e gjeti në stolin e Shkëndijës si ndihmës-trajner, ndërsa një vit më vonë u ngjit edhe si trajner i parë në detyrë. Përvoja e tij u pasurua më tej me Shkëndijën U19 dhe me rolin e ndihmës-trajnerit te Flamurtari i Vlorës në Superligën shqiptare. Më pas drejtoi Renovën dhe Strugën në Maqedoni, duke fituar përvojë të vlefshme në menaxhimin e ekipeve me objektiva të ndryshëm.
Në vitin 2021 mori drejtimin e Bylisit në Shqipëri, ku arriti sukses të menjëhershëm duke e ngjitur skuadrën në Superligë si kampion i Kategorisë së Parë. Pas kësaj aventure, ai kaloi në Arabinë Saudite ku punoi si drejtor i akademisë së Al-Jabalain, përpara se të rikthehej në Tetovë në vitin 2024 si trajner i parë i Shkëndijës me kontratë 18-mujore.
Rezultatet e tij me Shkëndijën flasin vetë. Në sezonin 2024–25 arriti të shpallej kampion i Maqedonisë së Veriut, një sukses i madh për trajnerin 42-vjeçar. Statistikat tregojnë se në 59 ndeshje në drejtimin e Shkëndijës ka arritur 34 fitore, 16 barazime dhe vetëm 9 humbje, duke regjistruar një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje dhe një përqindje fitoreje prej 64%. Edhe në garat evropiane ka treguar stabilitet, duke udhëhequr skuadrën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës me rezultate të respektueshme.
Beqiri është trajner me licencë UEFA Pro. Ai ka ndërtuar një identitet të qartë te Shkëndija, duke e bërë skuadrën të njohur për lojën dinamike dhe organizimin në të dyja fazat e lojës. Me përvojën e fituar ndër vite dhe rezultatet e fundit, Jeton Beqiri shihet si një nga trajnerët më premtues të futbollit shqiptar e rajonal.