Terreni stërvitor i Marseille-it u mbush të premten pasdite me gazetarë, ndërsa trajneri Roberto De Zerbi iu përgjigj pyetjeve të mediave për skandalin më të fundit, që ka tronditur futbollin francez gjatë javës.
Adrien Rabiot (30) dhe Jonathan Rowe (22) janë vendosur në listën e transferimeve të klubit pas një përplasjeje fizike në dhomat e zhveshjes, që ndodhi pas humbjes 1-0 ndaj Stade Rennais në ndeshjen hapëse të sezonit. Ishte hera e parë që De Zerbi foli publikisht për incidentin, në një konferencë për shtyp të transmetuar nga GFFN, përcjellë Kërlaçki.

Trajneri italian e nisi konferencën me një deklaratë personale:
“Kam vite që jam në futboll. Jam mësuar të flas për ato që ndodhin në dhomat e zhveshjes, por ka gjëra që thjesht duhen zgjidhur. E kam një pyetje për ju: Në një vend pune, nëse dy punonjës zihen si në një pub anglez dhe një prej tyre bie pa ndjenja në tokë, çfarë duhet të bëjë punëdhënësi?”
“Ka dy zgjidhje: pezullim ose largim nga puna. Ne pritëm deri të hënën për ta bërë publike. U mor një vendim i qartë për t’i pezulluar lojtarët nga ekipi, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Në çdo klub futbolli, si në çdo organizatë tjetër, duhet të ekzistojë një hierarki.”
De Zerbi përshkroi përleshjen si të paprecedentë:
“Rojet e sigurisë ndërhynë për të na mbrojtur dhe ndarë lojtarët. Kjo është hera e vetme që kam parë diçka të tillë. Nuk dua ta dramatizoj – vij nga rruga dhe jam mësuar me këso gjërash – por të shohësh truprojat duke na mbrojtur…”
“A nuk u thye ndonjë asht? Jo. Por ishte një përleshje që nuk e kisha parë ndonjëherë më parë. Mjeku përpiqej të kthente në ndjenja një lojtar në tokë, Rowe dhe Rabiot ishin në përplasje të ashpër… Në fushë duhet të tregosh ‘guxim’, siç thoni ju. Por jo ndaj bashkëlojtarëve. Askush nuk duhet të ndjejë se është më i madh se klubi. Ka lojtarë të fortë dhe trajnerë të fortë, por duhet të dimë të sillemi dhe të qëndrojmë në vendin tonë. Në afat të gjatë, kjo sjell dobi.”
“Do të luajmë nesër pa Rowe dhe Rabiot, gjë që nuk do të jetë e lehtë. Mund të bëja sikur nuk ndodhi gjë. Por nuk do të humbas dinjitetin vetëm për të fituar kampionatin – gjithmonë do të mbështes klubin.”
Marseille do të përballet nesër pasdite me Paris FC në stadiumin Vélodrome, në ndeshjen e dytë të sezonit në Ligue 1.