Shaqiri kthehet dhe flet për kohën te Interi: Ishte skuadra më e dobët të 15 viteve të fundit

Xherdan Shaqiri te Inter

Xherdan Shaqiri, sot pjesë e FC Basel, ka rrëfyer për “Gazzetta dello Sport” periudhën e vështirë që kaloi te Interi.

Ylli shqiptar kishte kaluar nga Bayern Munich te Interi në afatin kalimtar të dimtrit për 15 milionë euro.

“Unë mbërrita te një nga skuadrat zikaltër më të dobëta të 15 viteve të fundit. Ishim një Inter i ndërtuar keq, pa ekuilibër dhe pa kampionë”.

“Mua më ishte premtuar se do të luaja shumë, por prisja një kontekst tjetër. Grupi ishte i mirë, edhe pse atmosfera shpesh nuk ishte pozitive. Kur humb shumë ndeshje, gjithçka bëhet e vështirë”, deklaroi Shaqiri.

xherdan shaqiri

Sulmuesi shqiptar foli edhe për marrëdhënien me trajnerin Roberto Mancini, duke dhënë përgjigje diplomatike.

“Do t’i thoja që mund të më aktivizonte më shumë (qesh), por kam shumë respekt për të si trajner”, shtoi Shaqa.

Shaqiri kujtoi gjithashtu një episod të pazakontë nga koha e tij në Itali, kur u përball me një dëmtim, ku e dërguan te një mjek popullor.

“Më çuan te një shaman, më thanë se kishte kuruar edhe Ronaldon, ‘Fenomenin’. Edhe Mancini ma sugjeroi. Udhëtova një orë e gjysmë, por ishte përvojë katastrofike, nuk më vlejti për asgjë”, nënvizoi Shaqiri.