
Shqipëria do të presë nesër për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku pritet të diskutohen dhe të merren disa vendime të rëndësishme për futbollin evropian, mes tyre edhe përcaktimi i vendit që do të organizojë finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2027.
Ky zhvillim ka sjellë në Tiranë drejtuesit më të lartë të UEFA-s, të kryesuar nga presidenti Aleksander Çeferin, i cili mbërriti sot pasdite në kryeqytet dhe u prit nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
“Sot pata kënaqësinë të pres në Tiranë mikun tim, Presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili mbërriti në Tiranë me rastin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Një moment historik për futbollin shqiptar dhe një tjetër dëshmi e vlerësimit të UEFA-s ndaj vendit tonë. Mirë se erdhe në Tiranë, z. Çeferin!”, shkroi Duka në rrjetet sociale.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv do të zhvillohet nesër nga ora 14:00 deri në 17:00.
Përpara saj, anëtarët e Komitetit dhe përfaqësues të federatave europiane do të marrin pjesë në festivalin e futbollit për fëmijë, i cili do të organizohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.