Drenica – Drita, statistikat

Drenica ka mposhtur Dritën në ndeshjen e parë në Gjilan, me rezultat 1-0.

Megjithatë, para këtij dueli dhe mungesës dyvjeçare në Superligë, Drenica nuk kishte fituar ndaj Dritës në pesë përballjet e fundit (Drita kishte 4 fitore dhe 1 barazim), përfshirë fitoren 2-1 në Skenderaj në vitin 2022.

Drenica ka bilanc të dobët në katër ndeshjet e fundit, me katër humbje rresht: tri prej tyre me rezultatin 4-3 dhe një tjetër 2-0 ndaj Ferizajt.

Skuadra renditet e 7-ta me 11 pikë dhe goldallim negativ -5 (13:18). Ka arritur vetëm tre fitore – përveç Dritës, ka mposhtur edhe Prishtinën e Re në shtëpi dhe Gjilanin në udhëtim. Në fushën e vet ka marrë dy barazime ndaj Llapit dhe Dukagjinit, ndërsa ka pësuar humbje ndaj Prishtinës.

Nga ana tjetër, Drita, e cila e nisi sezonin dobët me dy barazime dhe tri humbje (përfshirë atë ndaj Drenicës, derbin me Ballkanin dhe humbjen ndaj Ferizajt në ndeshjen e parë), tashmë është këndellur dhe në gjashtë ndeshjet e fundit ka regjistruar katër fitore dhe dy barazime.

Jashtë fushës së saj ende nuk ka shënuar fitore, pa llogaritur ndeshjen ndaj Gjilanit si mysafir. Ka barazuar me Prishtinën dhe Llapin.

Në bazë të statistikave të 10 ndeshjeve të fundit, Drita pritet ta ketë të vështirë ndeshjen e nesërme, sidomos përballë një Drenice që kërkon me ngulm rikthimin te rezultatet pozitive. Ndërkohë, Dritën vetëm fitorja e mban pranë Prishtinës dhe Ballkanit – ky i fundit, si ndjekësi më i afërt i Prishtinës, ka pesë pikë më pak se kampionët aktualë, ndërsa Prishtina është tetë pikë para Dritës.

Drenica ka mbrojtjen e dytë më të dobët në Superligë me 18-gola të pranuar (Malisheva me një ndeshje më shumë – 23), ndërsa Drita në statistikat e golave, dallohet me mbrojtjen e tretë më të mirë (12 gola të pranuar) pas Ballkanit (7) dhe Prishtinës (11).