Marseille

Në një mbrëmje plot tension dhe gola të vonë, tre nga skuadrat më të spikatura të futbollit francez siguruan fitore me rezultat minimal, duke ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e kampionatit. Olympique de Marseille i rikthehet fitoreve pas tri ndeshjesh pa sukses, PSG forcon pozitat në krye me një gol në fund, ndërsa Paris FC i jep fund serisë negative duke ndalur Monacon në shtëpi.

Marseille ndal serinë negative me një fitore të vuajtur ndaj Auxerre

Olympique de Marseille i dha fund një serie prej tri ndeshjesh pa fitore me triumfin 1-0 ndaj Auxerre, një ekip që ndonëse në vendet e fundit në tabelë, tregoi karakter dhe vendosmëri. Auxerre rrezikoi fillimisht me një goditje të Namasos që përfundoi jashtë, por ishte Angel Gomes ai që përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit Léon për të shënuar golin e vetëm të takimit. Marseille mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuqe të Ulisses Garcias, por rezistoi deri në fund. Auxerre nuk arriti të konkretizojë rastet dhe për herë të tretë radhazi nuk gjen rrjetën në Ligue 1, duke rrezikuar të zbresë në vendin e fundit nëse Metz fiton ndeshjen e së dielës.

Gonçalo Ramos i jep PSG-së një fitore të artë në sekondat e fundit

Paris Saint-Germain triumfoi me shifrat 1-0 ndaj OGC Nice falë një goli të Gonçalo Ramos në minutën e fundit të ndeshjes në “Parc des Princes”. Edhe pse Nice vinte pas tre fitoreve radhazi, ndeshja ishte e vakët në pjesën e parë. Portieri Diouf i mbajti shpresat gjallë për miqtë me disa pritje vendimtare, por në fund PSG shfrytëzoi më mirë zëvendësimet dhe thellësinë e bankinës. Pas disa rasteve të humbura, Ramos finalizoi me kokë pas një devijimi nga Kvaratskhelia, duke e çuar PSG-në katër pikë në krye të tabelës, ndërsa Nice rrezikon të largohet nga zonat që çojnë në Evropë.

Paris FC befasojnë Monacon në shtëpi dhe rikthehen te fitorja

Paris FC ndali serinë pozitive të Monacos me një fitore 1-0 në “Stade Louis II”, duke ndërprerë një periudhë pa fitore për vete. Monaco rrezikoi disa herë në pjesën e parë me Golovin dhe Diattan, por ishte Moses Simon ai që realizoi golin e vetëm në minutën e 53-të pas një pasimi nga Maxime Lopez. Monaco u përpoq të reagonte, por nuk arriti të krijojë raste të pastra deri në fund. Me këtë rezultat, Paris FC ngjitet në vendin e 10-të, ndërsa Monaco humbet terren ndaj PSG-së në garën për titull.

 

Standings provided by Sofascore