Manchester City - Liverpool

Erling Haaland shënoi golin e tij të 99-të në Premier League, ndërsa Manchester City dominoi Liverpool-in me një fitore të pastër 3-0 në “Etihad Stadium”, duke i shkaktuar “The Reds” humbjen e katërt radhazi jashtë fushe në kampionat – seria e tyre më e keqe që nga viti 2012.

Duke luajtur si një skuadër që kishte fituar nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit në shtëpi në Premier League, City nisi ndeshjen me besim ndaj kampionëve. Portieri Giorgi Mamardashvili pati një moment tensioni kur përplasi gjurin me Jérémy Doku, i cili po depërtonte në zonë pas një ndërhyrjeje të shpejtë ndaj Ibrahima Konaté. Megjithatë, gardiani gjeorgjian e shleu menjëherë gabimin, duke pritur penalltinë e Haaland dhe ruajtur barazimin.

City vazhdoi të ushtrojë presion, duke rrezikuar me Rayan Cherki, i cili goditi mbi traversë pas një devijimi, ndërsa më pas Doku goditi drejt portës, por u ndal nga Mamardashvili në shtyllën e afërt. Ishte vetëm çështje kohe derisa të thyhej baraspesha, dhe në minutën e 29-të, Haaland realizoi me kokë pas një krosimi të saktë nga Matheus Nunes, pavarësisht përpjekjes së Konaté për të ndërhyrë.

Liverpool ishte dukshëm inferior gjatë pjesës së parë, megjithatë një goditje këndi nga Mohamed Salah dhe një goditje me kokë nga Virgil van Dijk dukeshin se do ta barazonin rezultatin para pushimit, por ndërhyrja e VAR zbuloi që Andrew Robertson ishte në pozicion jashtë loje. Shpresat për të përmbysur formën e dobët të fundit po zbeheshin, dhe City i dha goditjen përfundimtare në shtesën e pjesës së parë, kur Van Dijk devijoi në portën e tij një goditje të ulët të Nico González.

Dominim total i Cityt

Liverpool pati një moment ringritjeje në fillim të pjesës së dytë, kur Conor Bradley asistoi dy raste të mira – një i devijuar nga González dhe tjetri i shpërdoruar nga Cody Gakpo në shtyllën e dytë. Por Doku e shoi çdo shpresë të miqve, duke krijuar hapësirë dhe duke realizuar një gol të mrekullueshëm, duke kurorëzuar një paraqitje fantastike me një finalizim të merituar.

Dominik Szoboszlai provoi me një goditje të fuqishme që u ndal nga Gianluigi Donnarumma, ndërsa Salah humbi një tjetër rast të mirë duke e çuar topin jashtë me një parabolë delikate, por Liverpool nuk mundi të gjente rrugën e golit.

Kjo fitore shënon suksesin e shtatë në tetë ndeshjet e fundit për City në të gjitha kompeticionet, duke e çuar ekipin vetëm katër pikë larg Arsenalit kryesues, në një mbrëmje historike për Pep Guardiolën që festoi ndeshjen e tij të 1000-të si trajner. Ndërkohë, skuadra e Arne Slot ka pësuar humbjen e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit në kampionat, duke rënë në vendin e tetë dhe katër pikë larg objektivave, ndërsa nuk ka fituar dy ndeshje radhazi jashtë fushe ndaj Cityt që nga viti 1991.

Standings provided by Sofascore