Serbia - Shqipëria

Kroacia është në prag të kualifikimit të drejtpërdrejtë për Kupën e Botës, ndërsa Serbia përballet me një situatë shumë më të komplikuar — aktualisht ndodhet në vendin e tretë të grupit, pas Anglisë dhe Shqipërisë. Për të mbajtur gjallë shpresat për pjesëmarrje në Botëror, serbët duhet të fitojnë në fushën e Anglisë.

Shkatërrimi i një miti

Pas rezultateve të dobëta, Serbia ndryshoi së fundmi trajnerin, duke zëvendësuar Dragan Stojkoviçin me Veljko Paunoviçin. Një nga arsyetimet më të zakonshme për dështimet ka qenë mungesa e një “baze të gjerë lojtarësh”. Por portali sportiv serb Mozzart Sport e kundërshton këtë tezë, përcjellë Index, duke iu referuar statistikave të Transfermarkt.

Sipas të dhënave, Serbia ka 15 lojtarë me vlerë tregu mbi 10 milionë euro dhe 32 lojtarë që vlejnë mbi 5 milionë euro, krahasuar me Kroacinë që ka 13 dhe 25 lojtarë në këto kategori përkatësisht. Ndërsa profili teknik dhe fizik i lojtarëve është shumë i ngjashëm, diferenca qëndron te mënyra se si Kroacia arrin të formësojë talentin në përfaqësues, dhe të ndërtojë një “kult skuadre”.

Krahasimi me Kroacinë

“Kroacia është pika ideale për krahasim — jo për shkak të rivalitetit kombëtar, por sepse ndajmë pothuajse të njëjtin profil gjenetik, fizik dhe futbollistik. Të dy kombet prodhojnë lojtarë të ngjashëm: teknikisht të aftë, të fortë fizikisht, temperamentë dhe taktikisht inteligjentë, por shpesh emocionalisht të papërmbajtshëm”, ka shkruar Mozzart Sport.

Pavarësisht se Serbia ka më shumë lojtarë aktivë dhe më të vlerësuar në treg, portali thekson një ndryshim kyç:
“Kroacia ka më pak lojtarë në bazë, por ka një mekanizëm që çdo talent e kthen në përfaqësues, çdo përfaqësues në lojtar ekipor, dhe çdo ekip në kult.”