Blick për reagimet ndaj Xhakës në Prishtinë: Duartrokitje në fillim, fishkëllima më pas

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” i ka kushtuar një artikull reagimeve të publikut në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, gjatë ndeshjes së së martës mbrëma mes Kosovës dhe Zvicrës.
Sipas raportimit të kësaj medie, Xhaka fillimisht u prit me duartrokitje nga tifozët në Prishtinë, por më pas u dëgjua fishkëllima nga një pjesë e publikut. Këto reagime lidhen me komentet e tij të mëhershme në lidhje me futbollistët Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët kanë zgjedhur të përfaqësojnë Kosovën në vend të Zvicrës.
Pas përfundimit të takimit, Xhaka foli për televizionin zviceran SRF, ku pranoi se reagimet nga tribuna e kanë lënduar.
“Për të qenë i sinqertë, fishkëllimat ishin gjëja e fundit që prisja, sidomos këtu, në një vend që e ndjej si shtëpi. Dhemb. Nuk e kisha imagjinuar, por e pranoj. Kjo është pjesë e futbollit dhe gjithçka është në rregull”, u shpreh ai.
Reagimi i tifozëve ndaj Xhakës ka ngjallur diskutime në të dyja vendet, ndërsa përfaqësimi kombëtar i futbollistëve shqiptarë mbetet një temë e ndjeshme në raportet mes Kosovës dhe Zvicrës në sport.

