FIFA

Kupës së Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do t’i bashkohen 16 përfaqësuese nga Europa – një shifër që sipas kampionit të botës 2014 me Gjermaninë, Christoph Kramer, është e papranueshme. Por jo të gjithë janë në një mendje. Ish-lojtari tjetër i Bundesligës, Hans Sarpei, mendon krejt të kundërtën.

Mos u qani më për kontinentet e tjera. Futbolli nuk është pronë e Europës. Futbolli i përket gjithë botës”, theksoi Sarpei në një video të publikuar në Instagram, duke iu drejtuar komunitetit të futbollit europian. Zemërimi i tij erdhi si reagim ndaj deklaratës së Christoph Kramer, aktualisht ekspert në televizionin gjerman ZDF.

Kramer u shpreh i pakënaqur që Europa ka vetëm 16 përfaqësuese të kualifikuara në një Botëror me 48 skuadra pjesëmarrëse:
“E pabesueshme që kemi vetëm 16 ekipe nga Europa. Tani ndoshta Italia nuk do të kualifikohet, por do të shkojë Kepi i Gjelbër (Cape Verde),” tha ai gjatë ndeshjes së fundit të Gjermanisë në eliminatore ndaj Sllovakisë (6:0).

Edhe në Itali nuk janë të kënaqur me sistemin aktual. Trajneri i përfaqësueses, Gennaro Gattuso, kritikoi ndarjen e vendeve:
“Në vitet 1990 dhe 1994, vetëm tre skuadra afrikane merrnin pjesë. Sot janë nëntë. Ne i njohim vështirësitë – duhet ndryshim në sistemin europian”, tha ai, pasi Italia nuk arriti të kualifikohej direkt dhe do të luajë në play-off.

Por për Hans Sarpei, këto ankesa janë të pajustifikuara:
Vëlla Kramer, ndalo së qari! Për dekada, Europa ka sunduar – 50 deri në 60% e ekipeve ishin europiane. Tani që FIFA po e barazon fushën, papritur ju dhemb. Europa nuk po bie, por bota po përmirësohet”, shkroi ish-mbrojtësi i Ganës, pjesëmarrës në dy Kupa Bote.

Ai e mbështeti argumentin e tij me një foto të kombëtares së Marokut, që në vitin 2022 u bë ekipi i parë afrikan që arriti gjysmëfinalen e Botërorit. Ndërkohë, i doli në mbrojtje edhe Kepit të Gjelbër:
Kush tha që Cape Verde nuk është i mirë? A i keni parë ndonjëherë duke luajtur? Ata lanë pas Kamerunin në grup – një skuadër me traditë në Botëror.”

Në krahasim me turnetë e kaluar, Europa është vërtet më pak e përfaqësuar (16 nga 48 ekipe), ndërkohë që në listën e 48 skuadrave më të mira në renditjen FIFA, 26 janë nga UEFA. Megjithatë, është e padiskutueshme që një turne botëror duhet të përfaqësojë të gjitha kontinentet.

Në fund, edhe Kramer zbuti tonet:
Mendoj se është diçka e mirë. Prandaj quhet Kampionati Botëror dhe jo Europian”, tha ai, duke pranuar që ndarja e re reflekton natyrën globale të garës.