Tribuna lindore e stadiumit “Ferki Aliu” në Vushtrri, aty ku qëndron tradicionalisht grupi i tifozëve Forca, do të mbajë emrin “Tribuna Erjon Morina”, në nderim të futbollistit të ndjerë i cili ndërroi jetë disa muaj më parë.
Vendimi është bërë publik nga kryetari i tifogrupit Forca, Irfan Shtitarica, i cili tha se ky veprim simbolik është shenjë respekti dhe kujtimi të përhershëm për Morinën, i cili për vite dha kontribut në fushë dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit dhe komunitetit vushtrrias.
“Nga sot e tutje, tribuna lindore – aty ku Forca bën paraqitjet e saj të përhershme përkrah klubit të zemrës – do të quhet ‘Tribuna Erjon Morina’. Ky është një akt që tregon se emri i tij do të jetojë përgjithmonë në qytetin tonë, dhe veçanërisht në zemrat e çdo Forcash-i”, thuhet në njoftim.
Erjon Morina ishte një nga futbollistët më të dashur të Vushtrrisë, i njohur për përkushtimin, karakterin dhe dashurinë ndaj klubit.
Humbja e tij la boshllëk të madh te bashkëlojtarët, tifozët dhe qytetarët.
Ky gjest është parë si një shembull domethënës se si duhet të nderohen ata që kanë dhënë shumë për sportin dhe komunitetin, duke e ruajtur kujtimin për ta gjallë dhe të respektuar brez pas brezi.

