Inter Miami dhe Messi drejt rinovimit të kontratës – objektivi, Botërori i gjashtë. Po negociohet vazhdimi i bashkëpunimit me yllin argjentinas Lionel Messi, i cili pritet të qëndrojë në MLS edhe për disa vite të tjera.
Kontrata aktuale e Messit me klubin amerikan skadon në fund të këtij viti, por sipas Marca, përcjellë Kërlaçki, palët janë në bisedime për një marrëveshje të re. Planet e Messit përfshijnë qëndrimin në Miami për të ndihmuar klubin të fitojë trofe dhe për të ruajtur formën maksimale për Kupën e Botës 2026 – që do të ishte Botërori i gjashtë në karrierën e tij.
Deri më tani, tetë futbollistë kanë arritur të marrin pjesë në pesë turne të Botërorit, përfshirë Cristiano Ronaldon. Asnjë nuk ka arritur shifrën gjashtë, dhe Messi bashkë me Ronaldon kanë mundësinë ta thyejnë këtë rekord historik.
Inter Miami synon t’i ofrojë Messit një kontratë të re trevjeçare, me opsion për zgjatje, nëse ekziston dëshira nga të dyja palët. Mosha e tij – 38 vjeç – nuk përbën pengesë për klubin amerikan, i cili dëshiron ta mbajë atë në skuadër për aq kohë sa Messi e ndjen veten të gatshëm për të luajtur.
Sipas Marca, Messi do të ketë liri të plotë për të vendosur për të ardhmen e tij si lojtar. Kur të zgjedhë të tërhiqet, Inter Miami është i gatshëm t’i ofrojë një rol të përhershëm brenda klubit, në çdo pozicion që ai dëshiron – ofertë që pritet të konkurojë edhe me atë të Barcelonës, e cila gjithashtu synon ta rikthejë Messin në radhët e veta pas përfundimit të karrierës së tij.