Prishtina, të paktën pas shumë kohësh, ia ka dalë ta organizojë siç duhet shkollën e saj – dikur më të fuqishmen në vend – ndërsa kohëve të fundit kishte rënë ndjeshëm.
Angazhimi i dy trajnerëve nga Ramiz Sadiku, Fidan Islami (U15) dhe Donat Asllani (U13), ka kompletuar stafin e trajnerëve në shkollë.
Të nisim nga fillimi. Para një viti ishte angazhuar një ish-futbollist i ekipit, i cili kishte arritur të luante deri në U19 të skuadrës, Muhamet Krasniqi, si koordinator i shkollës. Pas një viti, me mbështetjen e pakushtëzuar të klubit, ai ka arritur ta transformojë plotësisht shkollën. Përveç dy trajnerëve që u angazhuan nga Ramiz Sadiku, më herët shkollës i ishte bashkuar edhe trajneri i portierëve, ish-portieri i ekipit të parë, Flamur Neziri, i cili ishte pjesë e 2 Korrikut.
Ndërsa, Etrur Sadiku (U19) dhe Ardian Haliti (U17) ishin angazhuar kur shkollës i printe, një vit më parë, Bylbyl Sokoli.
Lis Krasniqi (U9 dhe U19) u angazhua gjatë vitit, kurse Visar Shatrolli së fundmi në U11. Për Jeton Berishën s’kemi çfarë të flasim – djali i ish-trajnerit të portierëve, Bahri Berisha – është pjesë e shkollës prej vitesh, ndërsa në edicionin e fundit 2024/25 u kurorëzua edhe me titullin e kampionit në Superligën U17.
Mësohet se tashmë shkolla ka arritur ta rrisë ndjeshëm numrin e fëmijëve – mbi 250. Dikur shkolla më e fuqishme e futbollit në Kosovë, duket se i është afruar nivelit të mëparshëm dhe për një periudhë të shkurtër mund të matët edhe me 2 Korrikun dhe Ramiz Sadikun, që gjithsesi kanë krijuar organikë të qëndrueshme dhe mbase janë ndër më të mëdhatë në tërë Kosovën.
Kurse, në vitin e kaluar në përgatitje kishte udhëtuar grupmosha U19; sivjet në fazë përgatitore udhëtoi edhe grupmosha U17, në Banjat e Pejës, në kompleksin hotelier “Onix”, të cilin klubi e shfrytëzon tash e disa vite.
Sidoqoftë, me gjasë, përveç rritjes së numrit të lojtarëve të rinj, është vendosur të tentohet sërish krijimi i futbollistëve të rinj. Ndërsa duket se synim parësor mbetet përsëri ndjekja dhe fitimi i titullit në kategorinë kryesore të saj – U19 – grupmoshë që tani e disa vite dominon 2 Korriku, ndërsa titulli i kampionit dërgon në UEFA Youth League.