Albion Rrahmani vlerësohet lart nga trajneri dhe bashkëlojtarët për startin e fuqishëm te Sparta

Priske dhe Rrahmani

Albion Rrahmani vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj te Sparta Praga. Sulmuesi kosovar ishte titullar në sfidën e fundit të kampionëve çekë dhe arriti të lë gjurmë menjëherë. Ai realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 47-të (shtesë e pjesës së parë), pas një goditjeje të saktë nga brenda zonës.

Rrahmani u zëvendësua në minutën e 89-të, por kontributi i tij ishte i rëndësishëm në suksesin e ekipit. Paraqitja e tij nuk kaloi pa vëmendje, me trajnerin Brian Priske që ndau fjalë vlerësuese për lojtarin shqiptar.

“Nuk mund të gjykoj nëse është ndryshe nga ai që ishte në pranverë. E shoh si një djalë të mirë, të disiplinuar dhe profesional. Ka forcë dhe aftësi për të shënuar gola”, u shpreh Priske.

Albion Rrahmani

Tekniku danez theksoi rëndësinë e kontributit të Albion Rrahmanit dhe të gjithë repartit ofensiv, jo vetëm në fazën sulmuese, por edhe në atë defansive.

“Në përgjithësi jam i kënaqur me ‘dhjetëshen’ tonë dhe me lojtarët ofensivë që po shënojnë gola. Sot ishin Albioni dhe Shulo, të enjten ishte radha e Kuchtës dhe Birmas. Por ajo që më intereson më shumë është se si e ndihmojnë ekipin në aspektin defansiv”, shtoi Priske.

Fjalë pozitive për sulmuesin e Kosovës pati edhe mesfushori Lukáš Sadílek.

“Është gjithnjë me rëndësi për një sulmues të shënojë dhe të fitojë besim. Mënyra se si përfundoi aksionin ishte karakteristikë e tij. Nga ajo që shoh në stërvitje, Albioni ka një kualitet shumë të madh. Thuajse çdo rast e shndërron në gol, falë saktësisë që ka. I duhet vetëm të tregojë pak më shumë forcë, dhe do të jetë i jashtëzakonshëm”, deklaroi Sadílek.

Albion Rrahmani feston golin

Pas paraqitjeve premtuese në miqësore dhe tani në ndeshjet zyrtare, Rrahmani duket se po konsolidon vendin e tij te Sparta Praga – dhe po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit dhe skuadrës.