Përfaqësuesja e Anglisë në futbollin e femrave ka fituar Kampionatin Evropian 2025, duke triumfuar në finale kundër Spanjës pas një ndeshjeje dramatike që u mbyll me rezultatin 1-1 pas 120 minutash lojë dhe 3-1 në penallti. Anglezet kështu arritën të mbrojnë titullin e fituar në edicionin e mëparshëm në vitin 2022.
Spanjollet kaluan të parat në epërsi në minutën e 25-të me një aksion të bukur – pas një asisti të Battle, Caldentey shënoi me kokë për 0-1. Anglia reagoi në pjesën e dytë dhe në minutën e 57-të, pas një krosimi të Kelly, ishte Russo që barazoi gjithashtu me një goditje me kokë, duke rikthyer ndeshjen në ekuilibër.
Përkundër disa rasteve të mira në vazhdim dhe në kohën shtesë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund të 120 minutave dhe gjithçka u vendos përmes goditjeve nga pika e bardhë.
Në serinë e penalltive, Spanja dështoi në tre tentativa, me Caldentey, Bonmati dhe Paralluelo që nuk arritën të shënojnë. Ndërkohë, për Anglinë ishin Greenwood, Charles dhe Kelly ato që realizuan saktë, duke i sjellë triumfin historik ekipit të tyre.
Finalja u zhvillua në stadiumin “St. Jakob” në Zvicër dhe pas goditjes së fundit të Kelly, nisi një festë e madhe angleze që konfirmon dominimin e tyre në skenën evropiane të futbollit të femrave.