Kalo te përmbajtja
Sunday, 14 June 2026
Futboll Internacional

Anglia – Serbia: Anglezët mund t’ia sigurojnë Kombëtares play-offin!

Ndërsa Anglia e ka siguruar prej kohësh pjesëmarrjen në “USA 2026”, për Serbinë kjo ndeshje në “Wembley” mund të jetë përcaktuese për fatin e saj në kualifikueset e Kupës së Botës. Një humbje e mundshme do të rrëzonte ndjeshëm shpresat për të lënë pas Shqipërinë dhe për të siguruar vendin e dytë në Grupin K.

Forma e ekipeve dhe ecuria

Trajneri gjerman Thomas Tuchel ka udhëhequr Anglinë drejt gjashtë fitoreve radhazi në këtë fushatë, me një statistikë mbresëlënëse: 18 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Rikthimi i Jude Bellingham dhe Phil Foden pritet të shtojë kreativitet në mesfushë, ndërsa “Tre Luanët” mbajnë një rekord të frikshëm – nuk kanë humbur asnjë ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës që nga tetori i vitit 2009.

Në krahun tjetër, Serbia përjetoi një tronditje të madhe muajin e kaluar, pas humbjes 1‑0 në shtëpi ndaj Shqipërisë. Kjo disfatë çoi në dorëheqjen e trajnerit veteran Dragan Stojkoviç, duke i hapur rrugë teknikut të ri Veljko Paunoviç – fitues i Botërorit U20 në 2015 dhe promovues i Real Oviedo në La Liga. Për të, kjo është prova e parë e madhe dhe potencialisht vendimtare, pasi Serbia është vetëm një pikë prapa Shqipërisë, e cila luan ndaj Andorrës.

Serbia nuk ka humbur asnjë ndeshje jashtë fushe në kualifikueset e Botërorit që nga viti 2017 (5 fitore, 2 barazime), por një rezultat negativ në Londër do t’i vendoste përballë eliminimit të parakohshëm.

Përballjet e mëparshme dhe statistikat

Në dy përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave – të vetmet në histori – Anglia ka fituar bindshëm pa pësuar gol, përfshirë fitoren 5‑0 në ndeshjen e parë të këtij grupi.

Anglia ka shënuar në pjesën e parë në shtatë nga tetë ndeshjet me Tuchelin në stol, dhe në mesatare ka regjistruar 18 goditje drejt portës për ndeshje. Nga ana tjetër, vetëm një nga shtatë takimet e fundit të Serbisë ka përfunduar me gola nga të dyja skuadrat, ndërsa pesë nga shtatë sfidat e fundit në transfertë kanë prodhuar më pak se 2.5 gola.

Lojtarë vendimtarë dhe mungesa

Harry Kane është në formë fantastike këtë sezon me Bayern Munich, ku ka shënuar 23 gola në 17 ndeshje. Ai ka gjithashtu 23 gola në 20 paraqitje në kualifikueset e Botërorit për Anglinë, përfshirë golin e parë ndaj Serbisë në ndeshjen e parë. Në krahun tjetër, pritet që Dušan Vlahović të jetë lideri ofensiv i serbëve, me pesë nga gjashtë golat e tij të fundit për kombëtaren të shënuar në pjesën e dytë.

Anglia do të jetë pa Nick Pope, Anthony Gordon dhe Marc Guéhi, të cilët janë të dëmtuar. Për Serbinë, mungon sulmuesi kryesor Aleksandar Mitrović, i cili ka munguar në pesë ndeshje të fundit me klubin dhe nuk është ftuar.

Situata në grup

Me vetëm dy ndeshje të mbetura, çdo pikë është jetike. Shqipëria, që përballet me Andorrën, është në pozicionin e favorshëm për të siguruar një vend historik në Botëror. Serbia, ndërkohë, duhet të bëjë gjithçka për të mos dalë pa pikë nga “Wembley” dhe të mbajë gjallë shpresat.

Standings provided by Sofascore