Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas sigurimit zyrtar të vendit në fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026, duke vlerësuar arritjen historike të kombëtares shqiptare dhe duke komentuar mundësinë e një përballjeje me Kosovën.
Pas fitores në transfertë ndaj Andorrës dhe humbjes së Serbisë nga Anglia, Shqipëria siguroi pjesëmarrjen në play-off, ndërsa ëndrra për një debutim në Kupën e Botës mbetet e gjallë.
“Jemi një hap më pranë ëndrrës sonë, Botërorit. Play-offi do të jetë i vështirë, por kemi besim në forcën dhe karakterin e skuadrës. Do të japim gjithçka për të realizuar këtë objektiv”, u shpreh Duka.
I pyetur për mundësinë e një përballjeje me Kosovën në këtë fazë, Duka u tregua i sinqertë në qëndrimin e tij:
“Do të ishte një situatë shumë e ndjeshme. Një duel i tillë do të largonte një prej nesh nga ëndrra. Nuk do ta dëshiroja një përballje të tillë, sepse do të ishte e dhimbshme për njërën nga dy kombëtaret tona.”
Nëse Shqipëria arrin të mposhtë Anglinë në ndeshjen e fundit në “Air Albania”, ka shanse të ngjitet në vazon e dytë për shortin e play-offit, ndërsa Kosova, me një barazim në Slloveni, do të sigurojë përfundimisht pjesëmarrjen në vazon e tretë.