Asllani pas golit vendimtar: E dimë çfarë përfaqëson kjo fitore, e merituam plotësisht
Kristjan Asllani ishte heroi i Shqipërisë në fitoren ndaj Andorrës, duke realizuar golin që vulosi një kualifikim historik drejt fazës “play-off” të Botërorit 2026.
Pas përfundimit të sfidës, mesfushori kuqezi u shpreh i emocionuar për kontributin e tij dhe rëndësinë e këtij suksesi:
“Punojmë shpesh me skema kur unë kam topin dhe Myrto futet pas mbrojtjes. Jemi të lumtur sepse e dimë mirë çfarë do të thotë kjo fitore për ne. Sonte festojmë, pastaj mendimet i kthejmë te Anglia.”
Asllani pranoi se pjesa e parë e ndeshjes nuk ishte në nivelin më të mirë:
“E kishim të qartë se përballë do kishim një skuadër që mbrohet mirë. Andorra ndryshoi skemë, nga 5-4-1 në 4-4-2, dhe kjo na krijoi vështirësi. Por në pjesën e dytë, me më shumë hapësira për sulmuesit, arritëm të imponoheshim dhe e merituam fitoren.”
Ai shtoi se presioni i mbrojtësve kundërshtarë i vështirësoi lëvizjet në mesfushë:
“As unë dhe as Shehu nuk kishim shumë hapësira. Ata na markonin ngushtë me dy lojtarë dhe na mbyllnin rrugët. Por tani nuk dua të mendoj më për ndeshjen – kthehemi në Tiranë për të festuar, pastaj përgatitemi për sfidën me Anglinë.”
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, ka komentuar fitoren ndaj Andorrës, e cila vulosi një arritje historike për Shqipërinë – sigurimin e vendit në fazën “play-off” për Kupën e Botës 2026.
Në prononcimin e tij pas ndeshjes, Bajrami vlerësoi kontributin e lojtarëve që hynë nga stoli, duke theksuar rëndësinë e tyre në ecurinë e takimit:
“Besoj se sot zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Ata që u aktivizuan në pjesën e dytë bënë diferencën. Edhe nëse nuk e nis titullar, futbolli të jep mundësinë të ndryshosh gjithçka për 20 minuta.”
I pyetur për qëndrimin në stol, ai tha:
“Çdo futbollist dëshiron të luajë. Është e vështirë të presësh, por gjithçka varet nga momenti. Siç e treguam sot, edhe pak minuta mund të jenë vendimtare për të marrë tri pikë të rëndësishme në rrugëtimin drejt Botërorit.”
Sa i përket udhëzimeve taktike të trajnerit Silvinjo, Bajrami shpjegoi:
“E nisëm me skemën 4-3-3 dhe më pas kaluam në 4-2-3-1. Në fund gjithçka funksionoi dhe rezultati flet vetë.”