Ka përfunduar Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Punës i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili u mbajt sot pas kërkesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të ripërsëritur kuvendin e mbajtur më 20 shkurt 2025, pas konstatimit të parregullsive në pjesëmarrjen e dy klubeve të palicencuara. Delegatët e pranishëm në këtë kuvend votuan të gjitha ndryshimet e kërkuara nga MKRS, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim. Ky hap u ndërmor me qëllim që të rikthehet legjitimiteti i vendimeve të mëparshme dhe të zhbllokohet procesi i përfitimeve nga Ligji për Sponsorizime, i cili ishte pezulluar për të gjitha klubet e futbollit në vend. Mungesa e këtyre përfitimeve kishte shkaktuar vështirësi të konsiderueshme financiare për klubet, të cilat tashmë presin rikthimin e mbështetjes financiare institucionale. Fillimisht, përsëritja e kuvendit ishte planifikuar për muajin qershor, por ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të klubeve në garat ndërkombëtare. Me mbarimin e këtij kuvendi, pritet që MKRS të rifillojë lëshimin e vërtetimeve për klubet. https://kerlacki.com/fillon-kuvendi-i-jashtezakonshem-i-ffk-se-pas-kerkeses-se-mkrs-per-parregullsi/?fbclid=IwY2xjawMGmLZleHRuA2FlbQIxMAABHnt74Q4ZKt_-0tS-q_I3P21MPu1mT60q9uX-bjI7OgPzOnILpoVz1eHKQyIL_aem_0wpVgAjj-xY2_HPYTs5hPQ