Barcelona e pa informuar për vizitën surprizë të Lionel Messit në Camp Nou

Lionel Messi është rikthyer papritur në “Spotify Camp Nou” të dielën në mbrëmje, duke surprizuar jo vetëm tifozët, por edhe zyrtarët e FC Barcelonës, të cilët sipas raportimeve nuk ishin në dijeni për vizitën e tij.
Ylli i Inter Miami publikoi në Instagram disa foto nga fusha e stadiumit legjendar të Barcelonës, të shoqëruara me një mesazh emocional:
„Mbrëmë u ktheva në një vend që më mungon me gjithë shpirtin. Një vend ku kam qenë pafundësisht i lumtur, ku ju më bëtë të ndihem mijëra herë si njeriu më i lumtur në botë.“
Sipas gazetës SPORT, klubi u befasua nga prania e Messit, pasi askush nga drejtuesit nuk ishte informuar më herët për ardhjen e argjentinasit. Mbetet e paqartë se si ai ka arritur të hyjë në stadium, i cili kishte qenë i mbyllur për publikun deri të premten e kaluar, kur u hap për një ngjarje testuese me 23 mijë tifozë.
Messi ndodhet aktualisht në Spanjë, ku po stërvitet me kombëtaren e Argjentinës në prag të miqësores ndaj Angolës më 14 nëntor në Luanda.
Ish-kapiteni i Barcelonës la të hapur mundësinë për një rikthim të mundshëm, përmes fjalëve prekëse të publikuara:
„Shpresoj që një ditë të rikthehem, dhe jo vetëm për t’u përshëndetur si lojtar, sepse nuk pata kurrë mundësinë ta bëj këtë.“
