
Bekim Isufi, kryetrajner i FC Malisheva, është prononcuar për gjendjen e ekipit para ndeshjes kundër një kundërshtari me përvojë të madhe në arenën evropiane si Víkingur Reykjavík.
Ai theksoi se skuadra është përgatitur me kujdes dhe synon të ruajë mënyrën e lojës që e ka kualifikuar më parë në kampionat. Isufi theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe përqendrimit gjatë 180 minutave të ndeshjes për të kaluar një kundërshtar të fortë siç është skuadra islandeze.
Trajneri vlerësoi rikthimin në garat evropiane si një privilegj dhe një përvojë që sjell emocione të veçanta për të dhe ekipin, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe rritjes së ekipeve në kohë. Ai përmendi gjithashtu se nuk janë bërë shumë përforcime në skuadër, por grupi aktual është i fortë dhe i bashkuar, duke qenë kjo një nga avantazhet kryesore të Malishevës, përcjell Kërlaçki.com.
Në fund, Isufi foli për mungesën e Drilon Hazrollajt, një lojtar i rëndësishëm që është i vështirë të zëvendësohet, dhe për sfidat që ka klubi për të konkurruar me buxhete më të mëdha në futbollin kosovar. Megjithatë, ai është optimist për zgjedhjet dhe përvojën e klubit në afrimin e futbollistëve me kualitet dhe përgjegjshmëri.
Prononcimi i plotë i Isufit
“Kemi bërë përgatitje të duhur kundër një kundërshtari që gëzon respektin e të gjithë atyre që e njohin. Jemi përgatitur gjatë gjithë kohës, duke u përshtatur me stilin e kundërshtarit, por pa u larguar nga loja jonë. Duam të ruajmë stilin tonë të lojës, veçanërisht atë pjesë që na ka kualifikuar në kampionat. Nuk guxojmë të dalim nga ajo që dimë të bëjmë më mirë.
Duhet pasur parasysh se kundërshtari ka përvojë të jashtëzakonshme, pasi u eliminua vetëm në lojën e fundit vitin e kaluar nga Panathinaikos. Ne nuk kemi mungesa dhe gjendja është optimale; nuk kemi pasur lëndime, që është më e rëndësishmja. Duhet të japim ndoshta 180 minutat më të mira në histori të klubit për të kaluar një kundërshtar të tillë.
Kam ndjenja të ndryshme nga paraqitja ime e parë me Dritën para 8 vitesh. Ishte hera e parë pas pranimit në garat ndërkombëtare, një ndjenjë që nuk harrohet. Tash, pas një kohe dhe me vazhdimësi, fillon një garë e re, me emocione të tjera që të rrezatojnë brenda dhe një dëshirë për t’u paraqitur çdo vit në këtë nivel. Ndoshta atëherë nuk kishim përvojë, por tani, me kalimin e kohës dhe paraqitjet e ekipeve tjera gjatë viteve, rikthimi në Evropë është një privilegj i madh”, ka thënë Isufi, në pyetjen Kërlaçki.com për rikthimin e tij pas 8-vitesh në Evropë
“Nuk kemi bërë shumë përforcime, përveç disa largimeve. Kemi sjellë një sulmues që mendoj se është inkorporuar mirë në ekip. Ndoshta forca jonë qëndron pikërisht në stabilitetin e grupit. Klubi nuk qëndron duarkryq, pasi kemi afruar edhe një futbollist nga Laci, megjithëse koha ka qenë e shkurtër. Por kemi grupin që ka kaluar shumë vështirësi gjatë vitit dhe kjo është forca më e madhe e ekipit. Më lehtë më bëhet të kërkoj nga lojtarët atë që dua unë”, tha Isufi.
“Është e vështirë të zëvendësohet Drilon Hazrollaj. Malisheva si klub i qaset me maturi përforcimeve dhe i analizon mirë lojtarët që mund të afrohen. Ne nuk kemi buxhet të madh si disa klube tjera, por gjithmonë jemi të kujdesshëm në përzgjedhjen e lojtarëve. Pa dyshim, do të doja shumë të afroheshin lojtarë me cilësi, por konkurrenca në futbollin e Kosovës është shumë e fortë dhe e egër.”, ka përfunduar, Isufi.
Be the first to comment