Chelsea shkatërron Wolves – Neto vulos fitoren në “Stamford Bridge”.
Chelsea ngjitet përkohësisht në vendin e dytë në Premier League pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Wolverhampton Wanderers, në një ndeshje ku dominuan nga fillimi në fund. Ky ishte triumfi i katërt në pesë ndeshjet e fundit për “Blutë”, që vazhdojnë formën e mirë në kampionat.
Trajneri Enzo Maresca bëri të paktën shtatë ndryshime nga barazimi 2-2 ndaj Qarabağ në mesjavë, por skuadra e tij nuk tregoi asnjë shenjë lodhjeje ndaj Wolves, të udhëhequr nga trajneri i përkohshëm James Collins pas shkarkimit të Vítor Pereira.
Brenda tri minutash, Enzo Fernández rrezikoi me një goditje dënimi që u devijua mbi traversë nga Sam Johnstone, i cili më pas ndali edhe një goditje të Garnachos. Chelsea rriti ndjeshëm presionin në fillim, por më pas u ndesh me rezistencën e mirëorganzuar të Wolves. Në përfundim të pjesës së parë, barazimi pa gola ishte i drejtë.
Por Chelsea nisi fraksionin e dytë me të njëjtën energji dhe këtë herë nuk falën. Garnacho asistoi me një krosim të saktë në shtyllën e dytë, ku Malo Gusto shënoi me kokë golin e tij të parë në karrierën profesioniste.
Ky gol ndezi për pak Wolves, që u përpoq të barazojë, por cilësia e bankinës së Chelsea-t bëri diferencën. Estêvão, sapo i futur në lojë, depërtoi në të djathtë dhe asistoi për João Pedro, i cili shënoi me qetësi – një gol brazilian nga fillimi në fund.
Festa nuk mbaroi me kaq. Në një kundërsulm të shpejtë, Garnacho vrapoi fuqishëm në krahun e majtë dhe asistoi për Pedro Neton, i cili nuk hezitoi të festonte ndaj ish-skuadrës së tij, duke e vulosur rezultatin në 3-0.
Chelsea menaxhoi pjesën e mbetur të ndeshjes me qetësi, ndërsa Maresca shfrytëzoi mundësinë për të pushuar disa lojtarë. Blutë afrohen në vetëm gjashtë pikë nga kreu i tabelës, ndërsa kanë humbur vetëm një nga 12 përballjet e fundit në “Stamford Bridge” ndaj Wolves.
Për skuadrën e “Old Gold”, që ende nuk ka shënuar fitore këtë sezon në elitë, sfida më e madhe është ajo që e pret trajnerin e ardhshëm – me Rob Edwards të Middlesbrough që pritet të marrë drejtimin. Një detyrë që duket gjithnjë e më e vështirë.
