Kalo te përmbajtja
Montag, 3 August 2026
Futboll Internacional

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi: Deri kur?

Larg qendrës së vëmendjes, dy legjendat e mëdha të futbollit – Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi – vazhdojnë të shtojnë numrat e tyre individualë dhe të përballen me sfida të reja… ndërsa fundi i karrierës po afrohet, thekson në analizën e saj Marca, përcjellë Kërlaçki.

Dy nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit. Një rivalitet që nisi më 2009 me transferimin e Ronaldos te Real Madridi dhe që, në një formë apo tjetër, vazhdon ende – edhe pse sot ata ndodhen mbi 12,000 kilometra larg njëri-tjetrit.

Jo me shkëlqimin e dikurshëm, kur ndanin Topat e Artë dhe dominonin Spanjën, por ende janë shembull i qartë se talenti dhe dëshira për të fituar nuk janë shuar. Të dy në prag të të 40-ave (Messi ka edhe dy vite), jashtë ligave elitare, por ende aktivë.

Objektivi i radhës: Botërori 2026

Cristiano vazhdon të shënojë në Arabinë Saudite, ndërsa Messi bën të njëjtën gjë në SHBA. Portugezi ka fituar së fundmi Ligën e Kombeve me Portugalinë, ndërsa argjentinasi gëzon suksesin e Kupës së Botës dhe Copa Americas në dy vitet e fundit.

Botërori 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, është një pikë kyçe në karrierën e tyre – mund të jetë Botërori i gjashtë për secilin, një rekord absolut. Mund të jetë edhe skena e fundit e legjendave… megjithëse realiteti është më sfidues për Ronaldon.

Cristiano Ronaldo – 2027, objektivi 1,000 gola… dhe luajtja me të birin

Pavarësisht zërave për një largim nga Al Nassr, Ronaldo ka rinovuar deri në vitin 2027, me një kontratë gjigante që i sjell rreth gjysmë milioni euro në ditë. Synimi i qartë: Botërori i ardhshëm dhe… 1,000 golat.

Me 939 gola aktualisht, ai ndodhet vetëm 61 larg shifrës magjike. Në tre sezone me Al Nassr ka shënuar 99 gola – mesatarisht 33 në sezon – dhe nëse ruan këtë ritëm, mund ta arrijë objektivin, pa përfshirë golat me kombëtaren.

Një tjetër ëndërr? Të luajë me djalin e tij. Cristiano Jr. aktualisht luan për ekipin U-15 të Al Nassr dhe ka debutuar me ekipet zinxhir të Portugalisë. Nuk përjashtohet mundësia që të dy të ndajnë fushën te ekipi i parë në të ardhmen – një moment që mund të bëhet historik, si rasti i LeBron James me djalin e tij Bronny në NBA.

Ronaldo - Messi
Ronaldo – Messi

Messi – Botërori dhe një fund i paparashikueshëm

Messi ka kontratë me Inter Miami deri më 30 dhjetor 2025, por janë duke u zhvilluar bisedime për ta zgjatur të paktën edhe një vit, me synim ruajtjen e formës deri në Botëror.

Me 874 gola, 388 asistime, 46 trofe dhe 8 Topa të Artë, shifrat e Messit janë stratosferike. Të gjitha këto vazhdojnë të rriten në MLS, por e ardhmja e tij mbetet e pasigurt.

Nëse rinovon deri në fund të vitit 2026, gjithçka mbetet e hapur. Ka pasur spekulime për një rikthim te Barcelona apo një fund karriere te Newell’s Old Boys, por Messi ka deklaruar vetë se Inter Miami do të jetë klubi i tij i fundit. Pra, gjithçka tregon për një tërheqje në moshën 39-vjeçare, pas përpjekjes për ta mbrojtur titullin kampion bote me Argjentinën.

Dhe pastaj?

Kur t’i varin këpucët, futbolli do të humbasë dy nga ikonat më të mëdha. Por, si Ronaldo ashtu edhe Messi, duket se nuk do të shkëputen plotësisht nga loja.

Cristiano ka shprehur dëshirën për të qenë president klubi në të ardhmen dhe nuk e sheh veten si trajner. Ai gjithashtu ka ndërtuar një perandori biznesi: hotele, modë, klinika flokësh, kinema, padel.

Messi, më i rezervuar, ka deklaruar se dëshiron të kalojë më shumë kohë me familjen. Ai ka investime në pasuri të paluajtshme, hoteleri dhe modë. Ndërkohë, pronari i Inter Miami, Jorge Mas, ka treguar se Messi mund të vazhdojë rolin e tij në klub krah David Beckham – pasi është gjithashtu bashkëpronar i Interit.