Kalo te përmbajtja
Montag, 3 August 2026
FC Drita

Drita e nis me fitore në Champions – Manaj vendos fatin e ndeshjes ndaj Differdange

Drita e Gjilanit ka marrë një fitore të çmuar në sfidën e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampionia e Kosovës mposhti me rezultat minimal 1-0 kampionin e Luksemburgut, Differdange, të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pjesa e parë u karakterizua me pak raste për shënim, me Dritën që dominoi në posedim, por pa arritur të krijojë situata të rrezikshme. Gjilanasit regjistruan vetëm disa gjysmëraste, ndërsa Differdange pati një tentativë të vetme për gol.

Me fillimin e pjesës së dytë, Drita shtoi ritmin. Liridon Balaj ishte aktiv në minutat e para të kësaj pjese, me dy tentativa – njëra prej tyre mjaft e rrezikshme. Në minutën e 63-të provoi edhe Veton Tusha, para se Manaj të zhbllokonte rezultatin.

1752006930451 drita3
Liridon Balaj: Drita – Differdange 1-0

Goli vendimtar u realizua në minutën e 74-t nga Arb Manaj, i cili shfrytëzoi një aksion të ndërtuar nga krahu i majtë. Fillimisht, topi iu dorëzua Salifu Ibrahim brenda zonës, i cili më pas asistoi për Manajn. Sulmuesi i fuqishëm shtyu topin në rrjetë për epërsinë që do të rezultonte e mjaftueshme për fitoren.

Pas golit, skuadra mysafire pati tri mundësi për të barazuar, por portieri Faton Maloku u tregua vendimtar me një pritje shpëtimtare në një nga rastet më të mira të Differdange.

516799187 1300791555384454 5305393510653334791 n
Arb Manaj: Drita – Differdange 1-0

Në fund, Salifu Ibrahim e pati mundësinë të dyfishonte avantazhin për Dritën, por gjuajtja e tij nuk ishte e saktë.

Me këtë fitore, Drita udhëton në Luksemburg për ndeshjen e kthimit me një epërsi të vlefshme dhe me besim të shtuar për kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e dytë zhvillohet pas një jave.

Lër një koment