Miikka Muurinen është zyrtarisht lojtari më i ri i Partizanit. Lajmin e ka konfirmouar presidenti i këtij klubit, Ostoja Mijailoviç, gjatë një konference për shtyp të premten. “Ju falënderoj që jeni këtu në këtë numër kaq të madh – është një shenjë e mirë. Lajmi i madh është që Miikka Muurinen ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Partizanin”, ka deklaruar Mijailoviç. Njoftimi vjen pas thashethemeve të shumta gjatë javës, por tashmë është zyrtar: talenti finlandez 18-vjeçar ka zgjedhur Partizanin, duke lënë pas ofertat nga universitetet elitare amerikane, pas një periudhe të shkëlqyer në shkollën e mesme në Arizona. [caption id="attachment_29676" align="alignnone" width="822"] Miikka Muurinen[/caption] Muurinen ka bërë emër në Eurobasketin e fundit, ku me Finlandën arriti deri në vendin e katërt. Edhe pse luajti si zëvendësues, ai pati një ndikim të madh në lojën e ekipit, duke u vlerësuar si “x-faktori” i përfaqësueses. Për performancat e tij, u shpërblye me çmimin për lojtarin më të mirë të ri të turneut. Ai u dallua veçanërisht në fitoren ndaj Serbisë, ku spikati me aftësitë e tij fizike dhe spektaklin në lojë, sidomos përmes disa ngulitjeve mbresëlënëse. Muurinen shihet si një prej talenteve më premtues në basketbollin evropian dhe Partizani ka arritur një goditje të madhe në tregun e transferimeve me këtë afrim.