8. September 2026

Fisnik Papuqi pas fitores së parë: Fitore e merituar, Besës do t’i rikthejmë lavdinë

Fisnik Papuqi
#post_seo_title

Trajneri i Besës së Pejës, Fisnik Papuqi, është shprehur i kënaqur me reagimin e skuadrës së tij pas fitores së parë në Ligën e Parë të Kosovës. Në një prononcim ekskluziv për Kërlaçki, ai komentoi triumfin 5-3 ndaj 2 Korrikut të Prishtinës, në kuadër të javës së tretë të kampionatit.

“Për të qenë i sinqertë, sot e kishim detyrim fitoren. Vijmë pas dy ndeshjeve shumë të vështira ndaj skuadrave që kanë bërë merkato të fuqishme, si Vushtrria dhe Feronikeli. Por sot ekipi reagoi shumë mirë, dhe kjo ishte një fitore e merituar e cila vjen në kohën e duhur, para derbit me Istogun të shtunën”, tha Papuqi për Kërlaçkin.

Sa i përket garës për ngjitjen në Superligë, ai theksoi konkurrencën e lartë këtë sezon: “Kampionati pritet të jetë shumë interesant. Ka skuadra të forta dhe me përforcime të mira. Sipas meje, deri në xhiron e 34-të nuk do të dihet se kush do të sigurojë Superligën.”

Duke folur për Besën, Papuqi theksoi procesin e rindërtimit të skuadrës: “Kemi bërë shumë ndryshime në ekip dhe jemi ende në fazën e komponimit. Kemi një plan afatgjatë me bordin e klubit dhe, dalëngadalë, do ta ndërtojmë një Besë që i ka hije qytetit të Pejës.”