Romës së Gasperinit i mjaftoi një gol i blerjes së re, Wesley, për të mposhtur Bolognan dhe për ta nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri. Verdhekuqtë hynë fuqishëm në ndeshje, sidomos në 25 minutat e para, me Ferguson protagonist të disa aksioneve të mira. Më pas erdhi dëmtimi i Immobiles (u zëvendësua nga Castro), pikërisht në momentin kur Bologna po fillonte të merrte më shumë hapësira në lojë. Cristante goditi shtyllën e brendshme, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Castro iu kundërpërgjigj me një traversë. Episodi vendimtar ndodhi në minutën e 53-të: një gabim i rëndë i Lucumì i hapi rrugën Wesley-t, goditja diagonale e të cilit, edhe pse jo e pastër, mposhti Skorupskin për 1-0. Nga ai moment, Roma e Gasperinit u mjaftua ta menaxhonte rezultatin. Bologna nuk arriti të reagojë, edhe pse Bernardeschi debutoi me energji, ndërsa as hyrjet e Dybala-s, El Aynaoui-t dhe Dovbik-ut nuk sollën rrezik në sulmin verdhekuq. Tri pikë të vlefshme për debutimin zyrtar të Gasperinit në stolin e Romës, duke dhënë sinjalet e para se agresiviteti dhe disiplina taktike do të jenë tiparet kryesore të skuadrës së tij.