Granit Dervisholli: Feronikeli po tregon karakter, objektivi është kreu i tabelës

Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme, përfshirë edhe triumfin e rëndësishëm në udhëtim ndaj Kikës në Hogosht, trajneri i Feronikelit, Granit Dervisholli, ka folur ekskluzivisht për Kërlaçki, duke vlerësuar formën e ekipit dhe përgjigjen pozitive pas humbjes në derbin me Vëllaznimin.
“Janë dy fitore të rëndësishme për të kapur ritmin dhe për të mbajtur vazhdimësinë e paraqitjeve të mira. Mendoj se ishin fitore të merituara, duke parë dominimin në lojë, rastet e krijuara dhe qasjen pozitive të skuadrës”, deklaroi për Kërlaçkin, Dervisholli.
Ai veçoi mënyrën se si skuadra ka reaguar pas humbjes: “Këto rezultate vijnë pas një humbjeje në derbi, por ekipi ka treguar disiplinë dhe karakter, gjë që na bën të besojmë se do të jemi pjesë e kreut të tabelës.”
Sa i përket kampionatit, Dervisholli vlerëson rivalitetin: “Kampionati ka nisur me pritshmëri dhe befasi. Janë 18 ekipe dhe çdo ndeshje është sfidë më vete, sepse çdo kundërshtar lufton për maksimumin.”


