Një goditje e fuqishme me të majtën, në stilin e një "krosheje" të rëndë, i dha fund meçit mes Oleksandr Usykut dhe britanikut Daniel Dubois. Ishte një goditje vendimtare, që vulosi fitoren e ukrainasit në raundin e pestë dhe i siguroi atij të gjithë titujt botërorë në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Në konferencën për shtyp të mbajtur një orë pas meçit në “Wembley”, Usyk foli për grushtin që e rrëzoi Duboisin, duke e përshkruar si diçka më shumë se një kroshe e zakonshme. “Është një goditje me vrull më të madh dhe teknika e saj është paksa ndryshe. Dora mbahet më lart. Kjo goditje ka edhe një emër të veçantë – quhet ‘Ivan’,” tha Usyk, përpara një salle të mbushur me gazetarë. “Ivani është një emër tradicional ukrainas. Ai përfaqëson një burrë të fortë nga fshati, që punon shumë për familjen e tij. Është një grusht i fuqishëm, grushti ‘Ivan’,” shtoi ai me një buzëqeshje. [caption id="attachment_2842" align="alignnone" width="1200"] Usyk[/caption] Usyk zbuloi se këtë lëvizje e kishte emërtuar “Ivan” për herë të parë që në vitin 2018, kur ishte ende pjesë e kategorisë kruzer dhe po stërvitej në Shtetet e Bashkuara. Në meçin e së shtunës, Dubois fillimisht u rrëzua nga një goditje në trup me të djathtën, por ishte pikërisht e majta – “Ivan” – ajo që vendosi gjithçka. Me këtë triumf historik, Oleksandr Usyk bashkohet me legjendën Mohammed Ali si vetëm dy boksierët që janë shpallur dy herë kampionë të padiskutueshëm në kategorinë e rëndë. Një arritje që e përforcon pozitën e Usykut si boksieri më i mirë në botë sot. [caption id="attachment_2819" align="alignnone" width="1200"] Oleksandr Usyk dhe Daniel Dubois[/caption]