Hansi Flick shpjegon gjestin e debatueshëm në ndeshjen ndaj Gironës

Hansi Flick
Hansi Flick

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dhënë sqarime pas skenës së debatueshme që e përfshiu në përballjen dramatike kundër Gironës, të vlefshme për javën e 9-të të La Ligës.

Barcelona dhe Girona zhvilluan një ndeshje tepër të tensionuar dhe emocionuese. Goli i parë erdhi herët, në minutën e 13-të, kur Pedri shënoi për katalanasit pas një depërtimi në zonën kundërshtare. Por reagimi i miqve nuk vonoi, me belgun Axel Witsel që barazoi rezultatin me një “roveshatë” spektakolare.

Fati i takimit u vendos në kohën shtesë. Pas një krosimi nga Frenkie de Jong, ishte Ronald Araujo që goditi i pari topin dhe vulosi fitoren e vështirë të “Blaugrana”-s.

Megjithatë, vëmendjen pas ndeshjes e tërhoqi trajneri Flick. Në minutën e 90+1’, ai u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë për sjellje të ekzagjeruar ndaj gjyqtarëve, ndërsa pak më vonë u ndëshkua edhe me karton të kuq për reagime të mëtejshme. Edhe pas përjashtimit, ai bëri një gjest të fortë festiv, i cili u interpretua në rrjet si një provokim ndaj gjyqtarit.

Pavarësisht reagimeve në internet, incidenti nuk do të hetohet, pasi nuk është përfshirë në raportin zyrtar të ndeshjes – çka do të thotë se Flick nuk rrezikon ndëshkim shtesë.

Pas ndeshjes, tekniku gjerman dha sqarime për situatën:

“Futbolli është emocion, është tension. Gesti im nuk ishte ndaj askujt – ishte thjesht një festim. Frenkie ishte afër dhe mori një karton. Nuk e kuptoj pse gjyqtari më dha kartonin e dytë. Nuk po protestoja. Ishte një reagim spontan, nga gëzimi për mënyrën si fituam. Unë e pranoj vendimin e gjyqtarit. Nuk ishte asgjë personale. Po duartrokisja për t’i motivuar djemtë.”

Flick shtoi gjithashtu se kishte tentuar të fliste me arbitrin kryesor, Gil Manzano, pas ndeshjes, por ky i fundit nuk pranoi:

“Desha të flisja me të, por nuk pata mundësi. Ai u largua menjëherë. Nuk jam i mërzitur – e pranoj këtë. Vendimet e gjyqtarit janë për t’u respektuar. Gjestet e mia nuk kishin lidhje me të.”