Vushtrria, një qytet me traditë në sport, po përballet me një krizë të thellë që ka alarmuar edhe tifozët më të zjarrtë. Irfan Shtitarica, udhëheqësi i grupit të tifozëve “Forca”, ka reaguar publikisht ndaj gjendjes së rëndë që, sipas tij, po përshkon të gjitha klubet sportive të qytetit – veçanërisht ekipin e futbollit FC Vushtrria.
Në Vushtrri është sekret publik që gjithçka zien si “çaji”, por rrallëherë shihen reagime publike nga akterët. Megjithatë, më në fund ka reaguar një figurë — mund ta quajmë publike, të paktën për banorët e Vushtrrisë — siç është Irfani, i cili ka ngritur zërin për pengesat e shumta me të cilat përballet sporti në Vushtrri, e në veçanti klubet sportive, sidomos klubi i futbollit që ka pas vetes një sponsor gjigant, si pronarin e shumë bizneseve, ndër më të njohurat, rrjeti i marketeve “Interex”, Shaip Mikullovci.
Sipas Shtitaricës, gjendja është alarmante edhe në sportet tjera:
-
KH Vushtrria (meshkuj) është në prag të shuarjes.
-
KH Vushtrria (femra) përballet me vështirësi serioze financiare dhe rrezikon rënien nga Superliga.
-
KB Vushtrria (basketboll), që aktualisht garon në Ligën e Tretë, është pranë shpërbërjes.
“Ne si tifozë nuk do të rrimë duarkryq përballë kësaj situate alarmante,” paralajmëron ai.
Ky reagim shënon një nga zërat e parë publikë në mbrojtje të sportit vushtrrias, që sipas Shtitaricës, po lihet në mëshirën e fatit pa asnjë përkrahje institucionale apo shoqërore.