
Evropianet mposhtin Turqinë në “tie-break” për të fituar titullin botëror dhe për të rrëmbyer trofeun e katërt madhor brenda 15 muajve

Italia ka kurorëzuar gjeneratën e saj të artë në volejbollin për femra me një tjetër triumf të madh ndërkombëtar, duke fituar Kampionatin Botëror të Volejbollit për Femra 2025 në Tajlandë, të dielën.
Kombëtarja italiane, e cila mban vendin e parë në renditjen botërore të FIVB-së, mposhti rivalet kontinentale të Turqisë me rezultat 3-2 (25-23, 13-25, 26-24, 19-25, 15-8), në finalen e zhvilluar në “Huamark Indoor Stadium” në Bangkok, duke u rikthyer në majën e podiumit të këtij turneu pas 23 vitesh.
Ky ishte trofeu i katërt madhor për Italinë në vetëm 15 muaj, pas fitoreve në Volleyball Nations League dhe Lojërat Olimpike në Paris më 2024, si dhe përsëritjes së suksesit në VNL pak më shumë se një muaj më parë. Me këtë fitore, Italia mbetet e pamposhtur në 36 ndeshjet e fundit dhe bëhet kombëtarja e parë që mban njëkohësisht titujt olimpik dhe botëror që nga Kuba në vitin 2002.
Për Italinë ky ishte titulli i dytë botëror dhe medalja e katërt në këtë kompeticion. Ato e kishin fituar për herë të parë turneun në vitin 2002, ndërsa siguruan medalje argjendi në 2018 dhe bronzi në 2022.
“Kjo fitore është shumë emocionale për ne”, u shpreh trajneri Julio Velasco. “Pas fitoreve në Botëror, Olimpiadë dhe dy VNL, besoj se kjo skuadër do të mbahet mend si legjendare, ashtu si disa të tjera në histori. Jam shumë krenar për to. Kanë fituar dy ndeshje tepër të vështira në dy ditët e fundit dhe japin maksimumin çdo ditë në stërvitje. E meritojnë gjithçka që kanë arritur.”
Ylli i ekipit, sulmuesja Paola Egonu, u rikthye në formë pas një paraqitjeje të luhatshme në gjysmëfinalen ndaj Brazilit, duke udhëhequr Italinë me 22 pikë (18 goditje, tre bllokime, një as).
“Nuk mund ta besoj ende,” tha Egonu pas finales. “Jam jashtëzakonisht krenare për ekipin dhe shumë e lumtur. Ky është një moment që nuk do ta harroj kurrë. Ndoshta është edhe hera e fundit për disa nga vajzat, dhe zemra ime është plot.”
Jashtëzonja Myriam Sylla kontribuoi me 19 pikë (14 goditje, katër bllokime, një as), ndërsa Ekaterina Antropova dha një impakt të menjëhershëm nga stoli me 14 pikë (12 goditje, dy bllokime), shumë prej tyre në momente kyçe.
Shënuesja më e mirë e finales ishte ylli turk Melissa Vargas me 33 pikë (28 goditje, katër asa, një bllokim), ndërsa kapitenia Eda Erdem shkëlqeu me 19 pikë (15 goditje, tre bllokime, një as).
Italia e dominoi lojën në bllokime me 14 pikë kundrejt 10 të Turqisë – e vetmja kategori ku mbizotëroi. Turqia kishte përparësi në goditje (68 ndaj 59) dhe asa (shtatë ndaj pesë), ndërsa të dyja skuadrat i dhuruan nga 20 pikë kundërshtareve përmes gabimeve.