Jam kroat, vetëm stema me shahun ka rëndësi: Emrin serb e fshehu nga e gjithë bota

Të gjithë e njohin si Dado, por ai në fakt quhet Miladin. Emrin e tij serb nuk ia ka përmendur askujt, duke thënë se për të ka rëndësi vetëm stema me shahun e Kroacisë.
Dado Prsho mbetet një nga figurat më interesante të futbollit ballkanik — një njeri mes dy identiteteve, që karrierën e tij e ndërtoi me pasion, punë dhe përkushtim, pa u kthyer pas.
Nga Obrovci deri në majat e futbollit
Miladin Dado Prsho (51), një sulmues me një histori të jashtëzakonshme jete, që u bë i famshëm për golat e tij me Monakon, Rangersin dhe kombëtaren e Kroacisë.
Ai lindi në Obrovac, afër Zarës, në një familje serbe. Fëmijërinë e nisi në futbollin e vendlindjes, provoi në akademinë e Hajdukut të Splitit, por nuk vazhdoi atje. Familja e tij iku gjatë luftës në Kroaci në vitin 1993, megjithatë Dado më vonë veshi fanellën kroate.
Nga mekanik në yll të Monakos
Pas largimit nga Kroacia, Prsho u vendos në Francë. Punoi si mekanik makinash, pinte, dilte natën, dhe për një kohë kishte lënë futbollin pas dore. Por gjithçka ndryshoi kur njohu gruan e ardhshme, Karolinë. Ajo e bëri të ndryshonte mënyrën e jetesës dhe Dado vendosi t’i rikthehej sportit.
Nënshkroi për një klub të vogël të quajtur Stade Raphaëlois, ku spikati me fizikun e tij (190 cm) dhe me golat e shumtë. Një skaut i Monakos e pa dhe ia rekomandoi klubit. Në moshën 23-vjeçare ai u transferua te Monako, në një kohë kur në sulm luante Thierry Henry.
Kur u bë yll, nuk ishte më Miladin
Fillimisht nuk kishte vend në ekipin e parë dhe u huazua te Ajaccio, ku shënoi 21 gola në dy sezone. Më pas u rikthye në Monako dhe gradualisht fitoi vendin e tij.
Në sezonin 2002/03 shënoi 15 gola, dhe sezonin tjetër 16, duke ndihmuar Monakon të arrinte finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2004. Pikërisht atëherë ai hoqi dorë përfundimisht nga emri “Miladin” dhe u njoh vetëm si Dado, duke pranuar ftesën për të luajtur për Kroacinë.
Me fanellën e Kroacisë
Prsho debutoi për Kroacinë në vitin 2003 kundër Belgjikës dhe luajti në Euro 2004 dhe Botërorin 2006. Ai ishte titullar në të gjitha ndeshjet e këtyre turneve, dhe shënoi një gol të rëndësishëm kundër Francës në Evropianin e Portugalisë. Në total shënoi 9 gola në 32 ndeshje për Kroacinë.
Në një intervistë, kur u pyet për origjinën e tij serbe, Dado tha:
“Jam kroat, shumë i lumtur që vesha fanellën me stemën kroate dhe që munda të jap diçka për Kroacinë. Jam kroat, gjithçka tjetër janë budallallëqe.”
Fundi i karrierës dhe jeta pas futbollit
Pas tetë vitesh në Monako, ai kaloi te Rangers në Skoci, ku luajti 123 ndeshje, shënoi 37 gola dhe fitoi titullin kampion. Pas përfundimit të karrierës, ai u bë trajner dhe ka punuar në stafin teknik të Bordeaux.
Ndërkohë, nipi i tij Milan Prsho ishte kapiten i gjeneratës së tij te Crvena Zvezda, dhe më vonë luajti për Radin e Bezhanijën – të dy klube nga Beogradi, si dhe për kombëtaret e të rinjve të Serbisë.
Përkthyer nga Mondo


