Fitorja e Ramiz Sadikut dhe ndalja e Feronikelit në Mitrovicë ka hapur garën!
Fitorja e Ramiz Sadikut dhe ndalja e Feronikelit në Mitrovicë ka hapur garën!
Ndeshja e Ramiz Sadikut dhe Vushtrrisë ishte tejet interesante. Të parët në epërsi erdhën vendasit me golin e Dubovës (17′).
Vendasit ishin shumë më të mirë në pjesën e parë. Por, pjesa e dytë ndryshoi tërësisht; ishin vushtrriasit që dominuan, shtuan presionin dhe shënuan dy herë nëpërmjet Shabanit. Goli i parë iu anulua për shkak të pozitës jashtë loje, por pas 3 minutash, goli ishte i rregullt (62′).
Pas barazimit, Vushtrria doli dy herë vetëm përballë portierit – dhe dy herë gjuajti jashtë portës.
Dhe, kur nuk shënon – ndëshkohesh!
Vushtrria pothuajse ia fali topin në sekondat e fundit Ramiz Sadikut. Dy këndore të njëpasnjëshme dhe Rilind Gërbeshi, në minutën e 5-të shtesë, i solli tre pikë të mëdha kryeqytetasve, të cilët tani katapultojnë në vendin e 5-të me 30 pikë – vetëm 4 larg Vushtrrisë dhe vetëm 3 larg Feronikelit që sot u ndal në Mitrovicë nga Trepça, 1-1.
Me këtë barazim, Trepça vazhdon të ruajë shpresat, megjithëse është 10 pikë larg vendit të 1-rë dhe 7 pikë larg vendit të tretë, Vëllaznimit, që nesër e pret KEK-un.
Këtë edicion do të zhvillohen 18 javë në stinorin vjeshtor. Javën tjetër është tjetër derbi i madh, Vushtrria – Vëllaznimi, ndërsa nesër zhvillohen ndeshjet tjera të javës së 16-të.



