Kalo te përmbajtja
Dienstag, 4 August 2026
Futboll Internacional

Juventus ndalet në shtëpi, Sporting prish debutimin e Spallettit në Champions – aktivizohet edhe Zhegrova

Luciano Spalletti nuk arriti të niste me fitore aventurën e tij europiane në krye të Juventusit, teksa “Zonja e Vjetër” u ndal në një barazim 1-1 ndaj Sporting Lisbonës në “Allianz Stadium”, në një ndeshje plot ritëm dhe tension.

Sporting hyri fuqishëm në ndeshje dhe kaloi në epërsi që në minutën e 12-të, kur Maximiliano Araújo finalizoi në mënyrë të shkëlqyer, me topin që përfundoi në rrjetë pas shtyllës. Vetëm dy minuta më vonë, Trincão goditi traversën me një “bombë” nga distanca, duke tronditur mbrojtjen e Juventusit.

Reagimi i vendasve nuk vonoi dhe protagonist ishte Dušan Vlahović. Serbi goditi dy herë rrezikshëm brenda një minute, por portieri Rui Silva bëri dy pritje të jashtëzakonshme. Presioni solli frytet në minutën e 25-të, kur Vlahović barazoi shifrat me një goditje të saktë nga afër, pas një pasimi të zgjuar nga Khéphren Thuram.

Pjesa e parë u mbyll me një tjetër rast për Juventusin, por goditja e Conceição devijoi paksa dhe shkoi ngjitur me shtyllën. Pjesa e dytë, megjithatë, nuk ofroi të njëjtin intensitet. Vendasit u përpoqën të kontrollonin lojën, por mungesa e qartësisë në finalizim dhe efikasiteti i mbrojtjes së Sportingut i penguan të gjenin golin e fitores.

Në sekondat e fundit, Jonathan David pati shansin për të dhënë tri pikët, por Silva ishte sërish hero me një pritje vendimtare. Me këtë barazim, Juventus mbetet pa fitore në katër javët e para të Champions-it, ndërsa Sporting ngjitet në dhjetëshen e parë të renditjes me vetëm një humbje në grup.