Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ishte heroi i Bayern Munich të mërkurën mbrëma, duke shënuar dy gola dhe duke i siguruar skuadrës së tij kualifikimin në Kupën e Gjermanisë pas një fitoreje dramatike 3:2 ndaj Wehenit që garon në Bundesliga 3.
Kane e zhbllokoi ndeshjen herët, duke shënuar nga penalltia në minutën e 16-të. Michael Olise dyfishoi epërsinë për bavarezët në minutën e 51-të, por më pas skuadra vendase reagoi fuqishëm.
Weheni realizoi dy gola të shpejtë, në minutat 64 dhe 69, duke barazuar rezultatin në 2:2 dhe duke i vënë në vështirësi të mëdha kampionët gjermanë.
Kur dukej se takimi po shkonte drejt vazhdimeve, Kane u shfaq përsëri vendimtar.
Në minutën e 84-t, sulmuesi anglez shënoi golin e fitores, duke shmangur një befasim të madh dhe duke i dhënë Bayernit kualifikimin.
Bavarezët kështu kalojnë në fazën tjetër të Kupës së Gjermanisë, megjithëse përballë një kundërshtari modest u desh ndërhyrja e kapitenit të Anglisë për të evituar turpërimin.