UEFA ka shpallur fajtor klubin malazez Arsenal Tivat për kurdisjen e ndeshjes së zhvilluar në korrik të vitit 2023 kundër Alashkertit të Armenisë, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Kjo ishte hera e parë dhe e vetme që Arsenal Tivat merrte pjesë në një garë evropiane, raporton “Kërlaçki”.
Ndeshja e parë në Jerevan përfundoi 1:1, ndërsa ajo e kthimit në Podgoricë përfundoi me rezultatin 6:1 në favor të Alashkertit.
Bastet e dyshimta dhe sinjalet për manipulim
Që para se të shënoheshin golat, disa kompani bastesh kishin regjistruar shuma enorme të basteve “live”, sidomos për skenarë specifikë si: “në pjesën e parë do të shënohen dy ose më shumë gola”. Mbi 250 mijë euro ishin vendosur vetëm për këtë parashikim, ndërkohë që kuota ishte mbi 30 – që do të thotë se për çdo 1 euro të luajtur, fitoheshin 30 euro.
Goli i parë u shënua në minutën e 40-të, ndërsa i dyti në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Kjo përmbushte kushtin e bastit, duke sjellë fitime të mëdha për bastvënësit. Bastet nuk përfunduan këtu: në pjesën e dytë, u vendosën sërish baste të mëdha që parashikonin mbi pesë, madje edhe më shumë se shtatë gola në ndeshje. Ndeshja përfundoi me rezultatin 6:1 për Alashkertin, me dy gola të shënuar nga armenët në minutat shtesë të pjesës së dytë – duke e bërë rezultatin edhe më të dyshimtë.
Dënimet nga UEFA
Fillimisht, dyshimet për kurdisjen e ndeshjes u ngritën nga televizioni polak TVP, ndërsa tani UEFA ka konfirmuar zyrtarisht manipulimin e ndeshjes. Si rezultat:
-
Një lojtar dhe një zyrtar i Arsenal Tivatit janë përjashtuar përjetë nga futbolli.
-
Tre lojtarë të tjerë janë përjashtuar për 10 vjet.
-
Klubi Arsenal Tivat është dënuar nga UEFA, megjithëse kryetari i klubit, Dejan Kandiq, kishte deklaruar më herët se vetëm lojtarët ishin nën hetim.
Kandiqi po ashtu kishte theksuar se kallëzimi penal ishte bërë nga vetë ai dhe komuna e Tivatit, çka e bën rastin edhe më kompleks.
Rasti që kujton Skënderbeun
Ky nuk është rasti i parë kur UEFA përjashton një klub nga garat evropiane për manipulim ndeshjesh. Në vitin 2018, Skënderbeu i Korçës u përjashtua për 10 vjet nga garat evropiane dhe u gjobit me 1 milion euro. Vendimi i UEFA-s ndaj Skënderbeut u konfirmua edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në vitin 2019. Pas këtij vendimi, skuadra shqiptare përjetoi një rënie të madhe sportive dhe financiare.
Tashmë, Arsenal Tivat bëhet klubi i radhës që përballet me dënime të rënda për manipulim rezultatesh, një praktikë që UEFA po e ndjek gjithnjë e më ashpër në përpjekje për ta ruajtur integritetin e garave evropiane.


