Kryetari i Ferizajt promovon vënien e karrigeve në stadiumin e vetëm “montazhë” në qytetin me katër klube!

Stadiumi i Ferizajit
Stadiumi i Ferizajit

Jemi në kohë fushate dhe lajme të tilla janë “normale”.

Ferizaj, ndër qytetet kryesore në Kosovë për nga numri i banorëve dhe qarkullimi ekonomik, momentalisht posedon vetëm një fushë futbolli. Dhe një tribunë për të. Me bari sintetik që është vënë aty prej kush e din kur!

Ndërsa në këtë qytet – ndër më të rëndësishmit në vend – ekzistojnë disa klube futbolli, FC Ferizaj në Superligë, Dinamo në Ligën e Parë, Vizioni (klubi i futbollit për femra), si dhe të gjitha kategoritë përcjellëse të moshave. Ndërkohë, Tefik Çanga – anëtar i ri i Ligës së Parë – ka fushën e vet jashtë qytetit.

Dhe, kryetari i komunës, Agim Aliu – i cili megjithatë njihet për investime kapitale në infrastrukturën e qytetit – dje ka prezantuar vënien e karrigeve në tribunën e vetme të fushës (sepse stadium nuk mund t’i thuhet), pranë Palestrës së Qytetit.

Ndërkohë, stadiumi i vjetër i qytetit ka mbetur gërmadhë tash e disa vite, megjithëse ishte paralajmëruar se do të investohej në të.

Ferizaj meriton infrastrukturë të mirëfilltë sportive. Karriget janë të mirëseardhura, por për një kryetar si Agim Aliu është tepër pak të mburret për një gjë kaq të vogël.