Kur tenisi sfidon logjikën dhe statistikat nuk të sjellin fitoren

Frances Tiafoe
Frances Tiafoe

Kur tenisi sfidon logjikën: Më shumë pikë, më pak gabime, më shumë “winners” – por sërish humbje për Watanuki.

Tenisi është një nga ato sporte që shpeshherë sfidon çdo logjikë statistikore. Këtë realitet të pamëshirshëm e ndjeu mbrëmë japonezi Yosuke Watanuki, i cili u eliminua nga turneu Masters 1000 në Toronto, pavarësisht se dominoi në shumicën e treguesve të rëndësishëm të lojës.

Ndryshe nga shumë sporte të tjera, në tenis nuk fiton domosdoshmërisht ai që grumbullon më shumë pikë – por ai që di të fitojë pikët vendimtare. Dhe këtë, më së miri, e shfrytëzoi amerikani Frances Tiafoe.

Yosuke Watanuki
Yosuke Watanuki

Watanuki e mbylli ndeshjen me nëntë pikë më shumë se Tiafoe, bëri më pak gabime dhe realizoi plot 45 “winners”, krahasuar me vetëm 19 të amerikanit. Megjithatë, Tiafoe ishte ai që kaloi në fazën tjetër, duke fituar 2:1 në sete (1:6, 7:5, 7:6) dhe duke siguruar një vend në 1/16 e finales.

Ndeshja do të mbahet mend si një shembull i pastër se sa i çuditshëm dhe i pamëshirshëm mund të jetë tenisi: më shumë dominim nga Watanuki, por ftohtësia dhe saktësia e Tiafoe-t në momentet kyçe vendosën fatin e duelit.