Dinamo vazhdon rrugëtimin evropian pas një fitore të bujshme ndaj Hajdukut të Splitit. Skuadra nga Tirana përmbysi gjithçka në shtëpi, duke fituar 3:1 në ndeshjen e kthimit dhe siguruar kualifikimin në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës me rezultat të përgjithshëm 4:3.
Pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja u shpreh i entuziazmuar për suksesin e skuadrës së tij, duke rikujtuar edhe një moment historik nga karriera e tij.
“Sot treguam një fytyrë tjetër,” – u shpreh Daja.
“Edhe në Split zhvilluam një pjesë të parë të mirë. E respektojmë Hajdukun, por u përgatitëm mirë dhe lojtarët treguan dëshirë të jashtëzakonshme. I përgëzoj për këtë fitore.”
Për trajnerin shqiptar, fitorja ka edhe një ngarkesë emocionale personale, pasi i rikujtoi triumfin e vitit 2018 ndaj Dinamos së Zagrebit.
“M’u kujtua viti 2018, kur me Skënderbeun eliminuam Dinamon e Zagrebit në Ligën e Europës. Sot ndjej të njëjtën lumturi. Të mundësh një klub të madh si Hajduku, është ndjenjë e jashtëzakonshme.”
Pavarësisht mungesës së tifozëve në sfidën e parë, Daja vlerësoi mbështetjen e sotme të publikut vendas:
“Sot na dhanë krahë. Nuk ishin në Split, por këtu ishin fantastikë. Mendoj se sonte do të festojnë të gjithë shqiptarët që e duan futbollin, jo vetëm tifozët tanë.”
Dinamo City tashmë përgatitet për fazën tjetër të garës evropiane, ku do të përballet me një tjetër rival të fortë në prag të grupeve të Ligës së Konferencës.