Fabrizio Romano, ka konfirmuar se Liverpool ka arritur marrëveshje me Crystal Palace për transferimin e Marc Guéhi. Mbrojtësi anglez do të kalojë në “Anfield” për një shumë prej 35 milionë paundësh, një tarifë fikse, ndërsa Palace do të përfitojë edhe një klauzolë prej 10% nga çdo shitje e ardhshme.
Guéhi ndodhet në Londër për të kryer vizitat mjekësore dhe kontrata pritet të nënshkruhet mbrëmjen e sotme. Sipas Romanos, lojtari kishte vendosur prej fillimit të gushtit që destinacioni i vetëm i tij do të ishte Liverpool, pavarësisht interesimit të disa klubeve të tjera.
Një mbrojtës i sigurt për të ardhmen e “The Reds”
25-vjeçari, produkt i akademisë së Chelseat, prej vitit 2021 ishte pjesë e Crystal Palace, ku u shndërrua në kapiten dhe një prej mbrojtësve më të vlerësuar në Premier League. Statistikat e tij e tregojnë qartë konsistencën: 135 ndeshje në kampionat dhe 7 gola, ndërsa në total me Palace ka luajtur mbi 160 ndeshje dhe ka shënuar 9 herë.
Në arenën ndërkombëtare, Guéhi ka fituar besimin e Gareth Southgate dhe tashmë ka 23 paraqitje me kombëtaren angleze, duke qenë titullar në Europianin e vitit 2024.
Forcim kyç për mbrojtjen e Liverpoolit
Transferimi i Guéhi vjen në një moment kur Liverpooli kërkon të ringrihet dhe të forcojë repartin difensiv. Me lojën e tij të qetë, të lexuarit e saktë të aksioneve dhe aftësinë për të udhëhequr mbrojtjen, ai shihet si një element kyç për të ardhmen e skuadrës së Arne Slot.
Ky investim i fundit e çon shifrën e shpenzimeve të Liverpoolit në mbi 500 milionë euro në dy sezone, duke treguar qartë ambicien e klubit për të garuar në nivelet më të larta në Angli dhe Evropë.