Marca: Vedat Muriqi, makthi i përhershëm i Real Madridit

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, po vazhdon të shkruajë historinë e tij personale kundër Real Madridit. Ai ka shënuar ndaj gjigantit spanjoll në katër sezone radhazi: 2022, 2023, 2024 dhe 2025.
Sa herë që përballet me “Los Blancos”, Muriqi kthehet në një makth për mbrojtësit madrilenë, duke treguar forcë, vendosmëri dhe efikasitet përballë portës. Ky kontinuitet e ka bërë emrin e tij të spikatur në La Liga dhe në mediat spanjolle, të cilat shpesh i kushtojnë hapësirë të veçantë paraqitjeve të tij.
Gazeta prestigjioze “Marca” e ka cilësuar Muriqin si një sulmues të shkëlqyer që gjithmonë arrin të ndëshkojë Real Madridin.
“Sa herë që Vedat Muriqi përballet me Real Madridin, është një betejë gjigante me qendërmbrojtësit. Loja e tij e fuqishme ajrore është një sfidë e vazhdueshme për çdo kundërshtar”, shkruan gazeta.

“Marca” ndalet edhe te goli më i fundit i sulmuesit kosovar, i shënuar të shtunën mbrëma në “Santiago Bernabéu”, në ndeshjen që Mallorca e humbi 2:1.
“Gjysmë me shpinë, gjysmë me kokë – ishte goli i tij që hapi serinë e rezultateve, i pari i pësuar nga Real Madridi i Xabi Alonsos këtë sezon. Për gjigantin e Kosovës, është goli i tretë e gjysmë kundër Real Madridit. ‘Gjysmë goli’ sepse në shkurt 2023, në ndeshjen e fituar nga Mallorca në ‘Son Moix’, ishte kërcimi i tij me Nachon që dërgoi topin në rrjetë”, shkruan gazeta spanjolle.
Lëvdatat për Muriqin nuk mungojnë as për angazhimin dhe punën e tij të palodhur në fushë. “Përtej aftësive nga goditjet standarde, sulmuesi nga Prizreni është një nga ata djem që e kupton profesionin e tij si një monument të punës së palodhur. Ai bën gjithçka që një qendërsulmues i madhësisë së tij duhet të bëjë, duke ua bërë të qartë mbrojtësve se vizita te dentisti është shumë më e qetë sesa përballja me të”, shton “Marca”.

Muriqi, i njohur për lojën e tij të fortë fizike dhe për efikasitetin para portës, po e forcon gjithnjë e më shumë reputacionin si një nga sulmuesit më të vështirë për t’u ndalur në La Liga.


