Marrëdhënia mes Murat Yakin dhe Granit Xhakës nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Por në kualifikueset e fundit për Kupën e Botës, dy figurat kyçe të Zvicrës treguan se çfarë mund të arrijnë kur bashkëpunojnë. Në Prishtinë, rrethi u mbyll, shkruan Blick, përcjell Kërlaçki.
Ndonjëherë janë detajet e vogla që zbulojnë pamjen e madhe. Një fjali e thjeshtë, thuajse e padëmshme, e shqiptuar rreth mesnatës, në mes të një konference 25-minutëshe për shtyp:
“Ashtu siç stërvitemi, ashtu edhe luajmë në fushë.”
Fjalë nga Murat Yakin (51), pas fitores 4:1 ndaj Suedisë, duke lavdëruar intensitetin në përgatitje. Mund të duket si një klishe, por për Zvicrën është shumë më tepër: është dëshmi se trajneri dhe kapiteni i tij, Granit Xhaka (33), më në fund e kanë gjetur gjuhën e përbashkët pas një periudhe të vështirë.
Fjala që dikur ishte e Xhakës, sot është e Yakinit
Yakin vetë ka pranuar se nuk ishte rritur me bindjen se vetëm stërvitja intensive sjell sukses. Ai shpesh “jetonte mbi talentin” e tij, siç kujton periudha e Baselit – përfshirë një foto legjendare ku shtrihet në hamak mes dy shtyllave, duke përtypur karamele.
Por fraza për stërvitjen nuk është nga repertori i zakonshëm i Yakinit. Ajo është huazuar nga Xhaka. Dhe fakti që ai sot e citon natyrshëm, lidhet fort me Prishtinën – me qytetin ku Zvicra do ta vulosë biletën për Botërorin 2026.
Shtatori 2023: Pika e kthesës në Prishtinë
Ishte pikërisht aty ku gjithçka u përplas. Pas barazimit 2:2 me Kosovën, një Xhaka i zemëruar doli para kamerave dhe kritikoi ashpër:
“Ashtu si luajtëm sot, ashtu kemi stërvitur gjithë javën. Sikur të ishim në park. Nuk u stërvitëm siç duhet.”
Një deklaratë që e rrezikoi seriozisht marrëdhënien me trajnerin. Dhe në prapaskenë, nuk ishin vetëm fjalët: pakënaqësia kishte nisur më herët, pas një zëvendësimi të hershëm në një miqësore ndaj Kosovës, apo për mënyrën si Yakin e përdorte Xhakën në fushë.
Një gotë verë dhe një marrëveshje e heshtur
Në vend që ta përshkallëzonte situatën, Yakin bëri një hap prapa. Para Euro 2024, ai tregoi sesi kishin pirë një gotë verë të mirë në Düsseldorf dhe kishin folur si njerëz. Fillimisht u duk si një histori për PR, por në vijim u kuptua se kishte ndodhur një ndryshim real.
Yakin, që më parë nuk kishte hezituar të përplasej me liderët – në Luzern me vëllain Hakan, në Basel me Alex Frei – këtë herë zgjodhi rrugën e bashkëpunimit.
“Për sukses, ai është i gatshëm të bëjë gjithçka – gjithçka!” tha Yakin për Xhakën para Europianit 2024.
Nga Prishtina në Amerikë
Sot, para ndeshjes së fundit të këtij cikli eliminator, Yakin deklaron:
“I kemi përpunuar gjërat. Dhe pastaj kemi ndjekur një rrugë të përbashkët.”
Një rrugë që do t’i çojë të dy në Amerikën e Veriut në verën e vitit 2026.
