LIVE Mittwoch, 26 August 2026

Messi firmos kontratën e fundit: 150 milionë dollarë dhe aksione te Inter Miami

Lionel Messi
Lionel Messi

Lionel Messi ka rënë dakord për të zgjatur qëndrimin te Inter Miami me një kontratë të re shumëvjeçare, që pritet të jetë edhe e fundit në karrierën e tij. Sipas Miami Herald, përcjellë Kërlaçki, marrëveshja është finalizuar pas muajsh negociatash dhe zyrtarizimi pritet brenda dhjetë ditësh.

Argjentinasi 38-vjeçar përfiton 20.45 milionë dollarë në vit, ndërsa vlera totale e kontratës arrin në 130-150 milionë dollarë, përfshirë edhe aksione në klubin e Miamit pas përfundimit të karrierës si futbollist.

Një investim që u shpërblye

Para ardhjes së Messit në verën e vitit 2023, Inter Miami gjeneronte rreth 50-60 milionë dollarë në vit. Vetëm pas gjashtë muajsh, të ardhurat u dyfishuan, ndërsa për këtë vit pritet të arrijnë në 300 milionë dollarë. Çmimet e biletave, sponsorët dhe shitjet e fanellave kanë njohur rritje rekord.

Në fushë, Messi ka qenë po aq vendimtar: 75 ndeshje, 62 gola dhe 30 asistime me fanellën e Inter Miamit.

Fiton shumë më tepër se paga zyrtare

ESPN nënvizon se paga bazë është vetëm një pjesë e të ardhurave të tij. Një pjesë e madhe vjen nga marrëveshja me Apple, e cila i paguan një përqindje nga të ardhurat e transmetimeve të MLS-së.

Për krahasim, paga mesatare në ligë është 649 mijë dollarë, ndërsa Messi kryeson bindshëm listën e më të paguarve:

Top 4 lojtarët më të paguar në MLS:

  1. Lionel Messi (Inter Miami) – 20.45 milionë $

  2. Sergio Busquets (Inter Miami) – 8.5 milionë $

  3. Miguel Almirón (Atlanta United) – 7.87 milionë $

  4. Hirving Lozano (San Diego) – 7.63 milionë $