Rubin Kazan ka siguruar një barazim emocionues ndaj kampionëve të Zenit Shën Petersburgut, në një ndeshje që u vendos nga dy futbollistë shqiptarë. Takimi, i zhvilluar në një atmosferë të zjarrtë, u mbyll me rezultatin 2-2, por historia e tij ishte e mbushur me dramatikë, rikthim dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Zeniti e nisi furishëm sfidën dhe pas vetëm pak minutash kaloi në epërsi me një gol të realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. Pak më vonë, ata dyfishuan rezultatin duke përfituar nga një moment hutimi në mbrojtjen e Rubin Kazanit, dhe pjesa e parë u mbyll 0-2 për mysafirët.
Por në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi. Vetëm pak minuta pasi rifilloi loja, Veldin Hoxha – një nga zbulimet më interesante të sezonit – realizoi një gol të bukur me kokë, duke e futur Rubin Kazanin në lojë dhe ndezur entuziazmin në tribunat e stadiumit. Ishte goli i dytë për Hoxhën në po aq ndeshje këtë kampionat.
1-2 Hodza pic.twitter.com/RgxC90upGU
— RPL Sky (@RPLNews_eng) July 27, 2025
Kur gjithçka dukej se do të përfundonte me fitore të Zenitit, në skenë doli Mirlind Daku. Sulmuesi i Kosovës shfrytëzoi një moment të duhur brenda zonës dhe me gjakftohtësi realizoi për 2-2 në minutat shtesë, duke shpërthyer festën në bankinën e Rubin Kazanit. Ky ishte goli i parë i Dakut për sezonin e ri në Premier Ligën ruse.
2-2 Daku pic.twitter.com/qY3lX02Nye
— RPL Sky (@RPLNews_eng) July 27, 2025
Sipas platformës SofaScore, Daku u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes me notën 7.9, ndërsa Hoxha mori notën 7.7 – duke qenë dy nga figurat më të ndritura në fushë.
Në këtë përballje startues ishte edhe Dardan Shabanhaxhaj, që dha kontributin e tij në krah të ofensivës. Pas këtij barazimi të vlefshëm, Rubin Kazan mban katër pikë pas dy javësh kampiona.