Kalo te përmbajtja
Wednesday, 24 June 2026
Sporte ujore

“Mrekullia kineze” 12-vjeçare që po çmend botën e notit

Bota e notit është magjepsur nga një emër i ri që po lind në Kinë, Yu Zidi, një vajzë vetëm 12-vjeçare, e cila tashmë është renditur në nivelet më të larta të këtij sporti. Ajo u paraqit në skenën ndërkombëtare gjatë garave në Singapor, ku tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me kohë të jashtëzakonshme për moshën e saj, shkrujnë mediet ndërkombëtare, përcjellë Kërlaçki.

Zidi garoi në tre disiplina – 200 m dhe 400 m stil i përzier, si dhe 200 m stil delfin – duke arritur rezultate që në shumë raste i afrohen apo i tejkalojnë kohët e medalistëve olimpikë. Në 200 metra të përzier, ajo realizoi kohën 2:11.90 minuta, duke hyrë në gjysmëfinale si e 15-ta. Kjo kohë është vetëm një sekondë më e ngadaltë se rekordi i saj personal (2:10.63), vendosur në maj në Shenzhen, që sipas të dhënave të Federatës Botërore të Notit (ish-FINA), është koha më e mirë e regjistruar ndonjëherë për një 12-vjeçare – vajzë apo djalë.

Ndërkohë, në 200 m. stil delfin, ajo u paraqit me kohën 2:06.83, e cila do t’i siguronte vendin e katërt në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 dhe do të mjaftonte për medalje ari në Kampionatin Botëror të vitit të kaluar. Po ashtu, koha e saj në 400 m. stil i përzier (4:35.53) është e pesta më e mirë në botë për këtë vit dhe do t’i sillte vendin e katërt në Olimpiadë – vetëm 0.6 sekonda larg medaljes së bronztë.

Për të kuptuar sa e jashtëzakonshme është Ju, mjafton të krahasohet me kampionen kanadeze Summer McIntosh, e cila dominoi në Paris me tre medalje ari. Ju, në moshën 12-vjeçare, po noton 15 sekonda më shpejt në 400 m. të përzier dhe 12 sekonda më shpejt në 200 m., krahasuar me McIntosh në të njëjtën moshë – një avantazh që në një pishinë 50 metra përkthehet në gjysmë-bazeni.

Yu Zidi
Yu Zidi

Historia e saj filloi rastësisht. “Ishte një ditë e nxehtë vere dhe babai më çoi në një park ujor. Aty pashë që më pëlqente shumë uji dhe kalova orë të tëra në pishina. Një ditë, një trajner më pyeti nëse doja të mësoja të notoja më shpejt – dhe kështu filloi gjithçka”, tregon Ju.

Ajo stërvitet në qytetin Hebei, pranë Pekinit, dhe është specializuar në disiplina të gjata e teknike. Idhujt e saj janë legjendat Ye Shiwen dhe Zhang Yufei, por nderin më të madh e ndjen që stërvitet çdo ditë me notaren Li Bingjie, medaliste olimpike nga i njëjti qytet, Baoding. “Kam dhënë 200 për qind që nga dita që iu bashkova grupit të saj elitar”, thotë Ju me entuziazëm.

Si çdo adoleshente, ajo përballet me sfida për të balancuar shkollën dhe sportin. “Vitit të kaluar isha pranë dorëheqjes nga Kampionati Kombëtar për shkak të lodhjes ekstreme. Por kuptova se noti është pjesë e jetës sime dhe nuk mund të dorëzohem”, shton ajo.

Zidi Ju tashmë përmendet si pasardhëse e kampioneve olimpike dhe rekordmeneve, ndërkohë që mediat kineze e kanë pagëzuar me nofkën “Motra e vogël”. Ajo thotë se gjithnjë e kujton veten se koha më e vështirë është kur suksesi është afër – dhe nuk ka ndërmend të ndalet.

Të gjithë sytë janë tashmë nga ajo, në prag të paraqitjes së saj të parë të madhe ndërkombëtare në Kampionatin Botëror të Singaporit. Mrekullia 12-vjeçare nga Kina sapo ka nisur rrugëtimin.