
Prishtina e nisi me fitore sezonin e ri në Superligë, duke mposhtur Dukagjinin në Klinë me rezultat 3-2. Pas ndeshjes, për Kerlacki.com është prononcuar trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, i cili theksoi se skuadra e tij nuk e ka merituar humbjen, megjithëse i uroi kundërshtarit për suksesin.
“Ishte një ndeshje shumë e mirë, e luftuar nga të dyja skuadrat. Një spektakël i këndshëm për tifozët e pranishëm, pasi pati gola të shumtë dhe u zhvillua në një atmosferë fantastike. Renovimi i stadiumit e ka shndërruar në një ambient ideal për futboll”, ka thënë në prononcimin e tij për Kërlaçki.com, Ismet Munishi.
“Sa i përket lojës, mendoj se nuk e kemi merituar humbjen, pa ia mohuar Prishtinës fitoren, për të cilën e uroj. Pjesën më të madhe të ndeshjes ne e dominuam, krijuam më shumë raste, por gabimet individuale na kushtuan shtrenjtë”, ka thënë Munishi.
“Normalisht, ndeshjet e para janë më të vështira, sepse ekipi duhet të kapë formën. Prishtina kishte përparësi, duke qenë se kishte luajtur më parë në garat ndërkombëtare. Megjithatë, ishte një shfaqje e bukur që i shërben futbollit të Kosovës, para tifozëve të Prishtinës dhe atyre të Klinës që krijuan një atmosferë të mrekullueshme”, ka përgëzuar Munishi publikun e pranishëm dhe sidomos Plisat për shfaqjen e tyre.
“Ne tani duhet të përqendrohemi në ndeshjet e ardhshme. Përveç atyre gabimeve, unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, me grintën dhe me dëshirën e tyre. Edhe pse ishim në disavantazh prej dy golash, arritëm të barazonim dhe madje patëm raste për të kaluar në epërsi. Në duelet e ardhshme duhet të jemi më të përqendruar, më të vëmendshëm dhe të ndjekim me kujdes sugjerimet taktike, sepse pikërisht ato që i kam paralajmëruar, u panë gjatë lojës”, ka përfunduar prononcimin e tij për Kërlaçki, trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi.