
Klubi i futbollit Liria ka njoftuar zyrtarisht largimin e trajnerit Klodian Duro, i cili është ndarë nga skuadra për arsye personale. Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të klubit prizrenas, ku theksohet mirënjohja për kontributin e dhënë nga tekniku shqiptar gjatë qëndrimit të tij në krye të skuadrës.
“Klubi i Futbollit FC Liria njofton se trajneri i ekipit të parë, Klodian Duro, largohet nga drejtimi i skuadrës për arsye personale. FC Liria i është mirënjohës trajnerit për përkushtimin, punën e palodhur, kontributin dhe profesionalizmin e dhënë gjatë gjithë periudhës që ka qenë pjesë e klubit tonë. I urojmë shumë suksese në vijim, si në aspektin personal ashtu edhe në karrierën profesionale”, thuhet në njoftimin e klubit.
Nën drejtimin e Duros, Liria zhvilloi tetë ndeshje në kampionat, duke regjistruar tri fitore, tri barazime dhe dy humbje. Aktualisht, skuadra renditet në vendin e 10-të me 12 pikë, tetë më pak se lideri i kampionatit, Vëllaznimi. Para nisjes së sezonit, Liria ishte konsideruar një ndër pretendentet kryesore për ngjitje në elitën e futbollit kosovar.
Pas largimit të Duros, burime të Kërlaçkit bëjnë të ditur se Nevil Dede është një nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e skuadrës. Ish-trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë shihet si një alternativë serioze, ndërkohë që në garë për stolin e Lirisë përmendet edhe emri i Liridon Lecit, i cili prej kohësh ka pasur kontakte me klubin prizrenas.
Vendimi për trajnerin e ri pritet të merret brenda pak ditësh, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që drejtimin ta marrë edhe ndonjë emër i tretë.