Kosova përgatitet me intensitet për sfidat ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.
Kombëtarja e Kosovës ka vijuar përgatitjet për ndeshjet përmbyllëse të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026. Seanca e fundit stërvitore është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nën një atmosferë pozitive dhe me ritëm të lartë, ku trajneri Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë lojtarët e thirrur.
Fokusi i kësaj faze përgatitore ka qenë aspekti taktik dhe zbatimi i ideve të lojës që pritet të aplikohen fillimisht në përballjen ndaj Sllovenisë. Loja me intensitet të lartë, presion në zona të avancuara dhe organizimi mbrojtës kanë qenë elementët kryesorë të stërvitjes.
Në prag të ndeshjeve vendimtare, brenda grupit mbizotëron optimizmi dhe përqendrimi maksimal. Futbollistët janë të vendosur të mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim historik.
Pas stërvitjes, mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Meriton Korenica kanë folur për përgatitjet dhe pritshmëritë e ekipit.
Hajdari theksoi rëndësinë e intensitetit në stërvitje dhe besimin për një rezultat pozitiv në sfidën ndaj Sllovenisë.
“Kemi punuar mirë dhe me përkushtim. Jemi të vetëdijshëm që përballemi me një kundërshtar të fortë, por stafi po na përgatit në mënyrën më të mirë që të jemi gati në ditën e ndeshjes”, u shpreh ai.
Korenica, nga ana tjetër, vlerësoi formën e skuadrës dhe e cilësoi fazën përgatitore si mjaft premtuese.
“Po përgatitemi me kujdes për dy ndeshje shumë të rëndësishme. Forma e ekipit është në nivel të lartë dhe synimi është të vazhdojmë me rezultatet pozitive që kemi pasur deri tani”, deklaroi ai.
Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë, përpara se të mbyllë fushatën kualifikuese kundër Zvicrës. Të dyja ndeshjet janë vendimtare për ambiciet e ekipit në këtë cikël.

