Përpara ndeshjes së kthimit ndaj FC Copenhagen, kryetrajneri i Dritës, Zekerija Ramadani dhe kapiteni Ron Broja janë shprehur të vendosur për të dhënë maksimumin, pavarësisht vështirësisë së përballjes, përcjellë nga konferenca për shtyp, Kërlaçki.
Zekerija Ramadani: “Na pret një ndeshje tepër e vështirë, njësoj si takimi i parë në Danimarkë”
Tashmë i njohim më mirë, kemi bërë analizat e duhura. Janë një ekip me përvojë në arenën evropiane, që lufton rregullisht për fazat e grupeve në Champions League. Në ndeshjen e parë zhvilluam një paraqitje të mirë taktike dhe me disiplinë, por u ndëshkuam në dy momente vendimtare. Janë favoritë absolutë dhe jemi në disavantazh, por do të provojmë të japim gjithçka nga vetja”, u shpreh Ramadani.
Ai theksoi se përballjet e tilla janë mundësi e shkëlqyer për të fituar përvojë dhe për të matur veten ndaj ekipeve të mëdha evropiane.
“Edhe nëse rezultati do të ishte 2-0, prapë do të ishin favoritë. Nuk e quajmë veten humbës në këtë përballje. Synimi ynë është të arrijmë fitoren, të shënojmë gol dhe të rrezikojmë më shumë se në ndeshjen e parë, ku ishim më të rezervuar për të mos pësuar. Megjithatë, edhe atëherë u ndëshkuam me dy penallti”, vijoi trajneri.
Ramadani theksoi se një nga pikat më të forta të kundërshtarit ishte lojtari me numrin 10, i cili krijoi hapësira duke çarë në mes reparteve, çka detyroi ekipin të bëjë riorganizime në mbrojtje, përfshirë edhe pozicionimin e Brojës si qendërmbrojtës.
Në fund, ai theksoi përqendrimin maksimal ndaj kësaj sfide:
“Nuk kam ndjekur Shkëndijën kundër FCSB-së, pasi gjithë vëmendjen e kam te kjo ndeshje. Jam i bindur se do të jemi ndryshe këtë herë”.

Kapiteni i skuadrës, Ron Broja, ndau të njëjtin optimizëm me trajnerin
]”Na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj një skuadre cilësore. Në ndeshjen e kaluar dhamë maksimumin, por fati nuk ishte me ne. Shpresojmë që këtë herë të na buzëqeshë dhe pse jo, të tentojmë një befasi”.
Ai theksoi ndryshimet mes dy ekipeve
“Dallimi më i madh është ritmi i lojës. Ata luajnë ndeshje të shpeshta në nivele të larta dhe fusha u mundëson të ruajnë atë intensitet. Ky është ndryshimi më i madh mes nesh dhe tyre”.
Broja shtoi se përvoja nga sfida e parë ka qenë shumë e vlefshme për ekipin
“Kemi fituar një përvojë të madhe nga ajo paraqitje. ‘Intelektualët’ do të na mbështesin fuqishëm dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje të madhe. Do të jetë e vështirë, por uroj një natë të madhe dhe përmbysje të rezultatit. Duhet të provojmë!”, ka mbyllur Broja.